Caktohet takimi i radhës për targat mes Kosovës e Serbisë në Bruksel

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, ka njoftuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të takohen përsëri për të diskutuar për çështjen e targave.

Lajme

29/04/2022 14:13

Këtë njoftim, Lajçak, e ka bërë përmes një postimi në Twitter, ku është shprehur se ky vendim ka ardhur pas konsultimeve që ka pasur me përfaqësuesit e delegacioneve, shkruan lajmi.net.

“Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, tha ai.

Duhet kujtuar se mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një marrëveshje e përkohshme për targat e arritur vitin e kaluar.

Kjo marrëveshje, pritej të zëvendësohej nga një marrëveshje e përhershme para datës 21 prill të këtij viti, por që diçka e tilla ka dështuar të ndodhë. /Lajmi.net/