Cakolli pyet Ahmetin: A mos të ka ardhur ndonjë listë e re prej Molliqajt sot?

Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të Shpend Ahmetit.

Lajme

24/07/2017 23:53

Cakolli ka thënë se Shpend Ahmeti është bërë gënjeshtar shumë i rafinuar.

Ai ka kërkuar prej Ahmetit që ta publikojë listën e kontratave për shërbime të veçanta në Komunën e Prishtinës.

“Në një gjë Shpend Ahmeti ka avancuar, nuk mund të mohohet. Ai është bërë gënjeshtar shumë i rafinuar. Prej ndrydhjeve psikike që ia ka bërë Molliqaj deri sa e ka detyruar t’ia punësojë rrjetin e tij kriminal, Ahmeti si duket është bërë ekspert i gënjeshtrës.

Jemi mësuar me turret e tua, Shpend Ahmeti. Kur e more mandatin në Komunën e Prishtinës ngarendje me kallëzime penale kundër Isa Mustafës. Kohë pas kohe i bëje presion publik edhe Prokurorisë së Shtetit, që ato kallëzime t’i shndërronte në aktakuza. Sot po ngarend jo më pas kallëzimeve, por pas vetë Isa Mustafës. Nuk mund ta ndalësh denoncimin publik të keqpërdorimeve, duke u munduar të fshihesh pas përmendjes së “padive”. Nëse nuk e dinë rrugën për ta dorëzuar atë padi, mund edhe të ta tregojë. Ashtu siç mund të ta tregojë edhe rrugën deri në burg, ku do të përfundosh për shkak të keqpërdorimeve të shumta. Publikoje listën e të punësuarve me kontrata për shërbime të veçanta nëse guxon. Shumë shpejtë do ju dalin të palarat në shesh dhe duke mos pasur asnjë argument që dëshmon të kundërtën, kjo “padia, padia…” ty do të të shndërrohet në refren politik. A mos të ka ardhur edhe ndonjë listë e re prej Molliqajt sot?!”, ka shkruar Cakolli.