Cakaj për termetin në Turqi: Jemi pranë vëllezërve tanë këto momente

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, dhe ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, kanë reaguar për tërmetin e fuqishëm në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lajme

24/01/2020 23:57

Në një postim në rrjetet sociale, Cakaj shkruan: “I shqetësuar thellësisht për tërmetin e ndodhur së fundmi në Turqi.”

“Në këto momente të vështira ndodhemi pranë vëllezërve turq të prekur nga tërmeti. Mendimet dhe lutjet tona janë për Turqinë”, është shprehur Cakaj.

Ndërkaq, ministrja Xhaçka, po në rrjetet sociale, në reagimin e saj shkruan: “Me mendje e me zemër pranë popullit turk në këto momente tragjedie”.

“Ndajmë me miqtë tanë dhimbjen e çdo shqiptari që nuk mund të harrojë solidaritetin e ndihmën e pakursyer që populli turk na dha në të njëjtën situatë tragjedie. Lutem për sa më pak viktima e të lënduar, nga kjo ngjarje e tmerrshme”, ka shkruar Xhaçka.

Agjencia turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) njoftoi se sipas të dhënave paraprake, të paktën 14 persona kanë humbur jetën nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi provincën Elazığ në Turqinë lindore.