Çahet blloku, LDK po shqyrton koalicionin me PDK-në (Video)

Liderët e partive të bllokut nuk janë më unik në qëndrimet e tyre. Pas kërkesës së kreut të Nismës, Fatmir Limaj, për ridizajnim të marrëveshjes, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, publikisht kërkoi reflektim nga partnerët e tij në koalicion. Merret vesh se LDK do të diskutojë me elektoratin e saj, për mundësinë e një koalicioni me PDK-në. 

Lajme

31/10/2014 20:23

E po ashtu, Mustafa bëri edhe një paralajmërim tjetër, konsulta me degët dhe organet e partisë së tij, për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës.

Një burim i besueshëm i televizionit Rrokum, brenda LDK-së, ka pohuar se konsultat me degë të paralajmëruara nga kryetari i tyre, do të mbahen për të marrë mendimin e degëve për një koalicion LDK- PDK, pas zërave që janë shtuar brenda LDK-së për ridizajnimin e marrëveshjes. Në anën tjetër, brenda LDK-së janë shtuar edhe më shumë kundërshtimet që posti i kryeministrit ti takoj Ramush Haradinajt, ashtu siç e parasheh marrëveshja e 10 Qershorit.

I njëjti burim i ka thënë televizionit se LDK tashmë e ka ndarë mendjen me ridizajnu marrëveshje me bllokun, duke e marrë pozitën e kryeministrit për veti. E në rast se Haradinaj, nuk e pranon këtë, atëherë, LDK- ja asht e gatshme ti bashkohet një koalicioni me PDK-në.

“Janë ftuar kryetarët dhe kryesitë e degëve me u dëgju mendimi i tyre për marrëveshjen që e kemi arritë me 10 Qershor, mbas zërave që po e kërkojnë rishikimin e marrëveshjes. Tani për tani nuk ka disponim me shku në koalicion me Hashim Thaçin, por nuk përjashtohet as kjo, nëse del si kërkesë e degëve, e sidomos nëse AAK nuk heq dorë nga pozita e kryeministrit”,  ka thënë ky burim.

Në anën tjetër, burime brenda PDK-së i kanë thanë televizionit Rrokum se akterët kryesorë të kësaj partie janë duke  i vazhduar bisedimet me LDK, për gjetjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Jemi duke i vazhdu takimet me Lidhjen Demokratike, me disa prej personaliteteve kyçe, ende nuk ka konkrete diçka por jemi të sigurt se shumë shpejtë një koalicion i shumicës shqiptare brenda kuvendit ka me u arritë”, ka deklaruar ky burim.

Kërkesa e Limajt për rishikim të marrëveshjes, e pas asaj iu ka bashkangjitur edhe Isa Mustafa,  e kanë shty kreun e AAK-së, njëherit të nominuarin e bllokut për kryeministër, Ramush Haradinajn ta takoj forumin e zgjeruar të partisë së tij.

E në një njoftim të lëshuar nga AAK-ja, për këtë takim thuhet se Haradinaj ka shprehur vendosmërinë e koalicionit që konform marrëveshjes të përmbyllet ndërtimi i institucioneve të vendit. Por, një burim brenda këtij takimi i ka sqaruar Televizionit Rrokum, për ato që ndodhën sot aty.

“Kryetari po frikohet se asht duke u tradhtur nga partnerët e koalicionit, respektivisht nga Nisma dhe LDK”, ka thanë ky burim.

Po i njëjti  burim ka bërë me dije, se AAK-së tashmë i ka arritur një ofertë për bashkëqeverisje edhe nga PDK-ja, sipas të cilës, edhe posti i kryeministrit është i negociushem, por AAK dhe Haradinaj janë të vendosur ti qëndroj besnik koalicionit me bllokun duke e mohuar çfarëdo mundësie për dialog me PDK-në, përveç në Kuvend.

Sipas këtij burimi, Haradinaj në këtë takim iu ka thënë se ndonëse Limaj e ka kërkuar haptas rishikimin e marrëveshjes në takimet e fundit, një gjë të tillë, nuk e ka kërkuar asnjëherë deri me tash Mustafa. 


ÇAHET BLLOKU by RrokumTelevision