Bytyçi: Ftesa e Kurtit për asistencë nga ambasadorët është e turpshme, ai është bashkëfajtor

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka reaguar pasi që Albin Kurti ka kërkuar asistencë nga ambasadorët.

Lajme

10/08/2020 20:32

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë së hënës iu bëri ftesë ambasadorëve të licencuar në Kosovë që t’i ndihmojnë institucionet kosovare në luftën kundër pandemisë me COVID-19.

E pas kësaj ftese të Kurtit, ka reaguar zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, shkruan lajmi.net.

Lexo edhe: 

Kurti u shkruan ambasadorëve: Ndihmojeni Kosovën, mund të kemi katastrofë humanitare

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, e ka kritikuar Kurtin për këtë veprim duke e cilësuar si veprim të turpshëm, të papërgjegjshëm si dhe fyerje për shtetin e Kosovës.

Bytyçi ka thënë se Kurti nuk është lider, por ish-kryeministër dhe si i tillë ka qenë përgjegjësi kryesor për situatën aktuale në Kosovë.

Reagimi i plotë i Bytyçit, pa ndërhyrje:

Albin Kurti nuk është lideri i opozitës, por ish kryeministër që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën aktuale në Kosovë.

E para: Ftesa për asistencë nga ambasadorët e huaj se kinse na pret një katastrofë humanitare, është e turpshme, e papërgjegjshme dhe fyerje për shtetin e Kosovës.

E dyta: Nëse realizohet ky parashikim i errët i Albin Kurtit, ish-kryeministri është bashkëfajtor për dy gabime trashanike që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje;

-Hapja e pakontrolluar e shtetit të Kosovës gjatë pandemisë për qëllime të ulëta politike – për të organizuar protesta. E që padyshim është njëra nga arsyet kryesore e shpërndarjes se virusit SARS-CoV-2 në këtë periudhë.

-Si dhe ofrimi i një pakoje financiare për zbutjen e krizës ekonomike, e cila asnjëhere nuk është zbatuar nga vet qeveria Kurti. Mijëra qytetarë e shumë ndërmarrje nuk e morrën ndihmen e merituar nga shteti.

Pra, ish-kryeministri nuk duhet të kërkojë ndihmë nga ambasadat por falje para qytetarëve, për prishjen e koalicionit në mes të pandemisë dhe braktisjen e qytetarëve të Kosovës në krizën më të madhe që nga përfundimi i luftës. /Lajmi.net/