Buxhetit të 2018-ës i shtohen edhe 11 milionë € të marra nga Fondi i Kursimeve Pensionale

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar dy kërkesat e ministrit të Financave për ndryshimet në projektligjin për buxhetin e vitit 2018.

Lajme

19/12/2017 15:02

Buxhet ky i cili do të ketë shqyrtimin e dytë në Kuvend brenda pak javësh.

Ministri i Financave, Bedri Hamza propozoi që buxhetit të vitit 2018 ti shtohen edhe 11 milionë euro, para këto të marra nga Fondi për Kursime Pensionale, raporton Ekonomia Online.

Hamza gjithashtu propozoi që fondit për komunitete në zyrën e Kryeministrit t’i shtohen edhe 500 mijë euro.

“Duke pas për bazë që ka pak pranime të amandamenteve nga deputet të Kuvendit të Kosovës ne kemi propozuar se nga ku do të merren mjetet ku do të shkurtohen mjetet me qëllim që buxheti të jetë brenda legjislacionit në fuqi. Janë të sigurta edhe 11 milionë euro shtesë për buxhetin nga Fondi për Kursime Pensionale”, tha Hamza.

“Janë të sigurta edhe 11 milionë euro shtesë për buxhetin. Pritet të merret vendimi nga Qeveria dhe këto mjete të derdhen në buxhetin e vitit të ardhshëm. Do të rritet tabori i shpenzimeve kapitale për 11 milionë euro. Propozoj që edhe te zyra e kryeministrit të rritet për 500 mijë euro fonde për komunitete”, shtoi Hamza.

Mirëpo ky propozim ndonëse u miratua nga anëtarët e tjerë të komisionit, nuk i pëlqeu deputetit Naser Osmani i cili konsideroi se nuk është e nevojshme rritja e këtij fondi për 500 mijë euro.

“Kisha propozu mos me u ngut me këtë kërkesë. Konsideroj se komunitetet kanë fonde boll”.

Ai madje votoi kundër miratimit të kësaj kërkese të ministrit Hamza.

Amandamentet të cilat janë duke u shqyrtuar nga Komisoni për Buxhet dhe Financa, sipas kryetarit të këtij komisioni, Lumir Abdixhiku janë miratuar nga grupet punuese të cilat janë marrë me këto amandamente.

Abdixhiku bëri të ditur se gjithsej për tu shqyrtuar dhe miratuar janë 101 amandamente.