Buxheti shtyhet për javën tjetër

Ligji për Buxhetin 2014 në lexim të dytë është lënë për javën e ardhshme. LDK dhe VV thonë se në rast të miratimit të tij, ku përfshihet edhe shitja e PTK’së, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme

16/12/2013 13:33

Ligji për Buxhetin në lexim të dytë, në të cilin është përfshirë edhe shitja e PTK’së, nuk do të jetë  pikë e rendit të ditës në seancën e radhës që do të zhvillohet të enjten.

Ai është shtyrë për javën e ardhshme.

Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit, pasi ai nuk është trajtuar ende nga të gjitha Komisionet e Kuvendit të Kosovës.

Duke folur për Projekt-Buxhetin e vitit 2014, Kryeparlamentari Jakup Krasnqi është shprehur se të gjitha procedurat që janë në harmoni me rregulloren e punës, do të respektohen.

“Ne jemi këtu për të respektuar rregulloren e punës së Kuvendit. Të gjitha procedurat që janë në përputhje me rregulloren e punës së Kuvendit, ne do t`i respektojmë dhe do t’i zbatojmë”.

Shefi i GP të PDK`së, Adem Grabovci, shprehet i bindur se Buxheti i vitit 2014 do të kalojë edhe në lexim të dytë.

“Buxheti i Kosovës është në interes të qytetarëve të vendit, të gjithë qytetarëve, qofshin ata të pozitës apo opozitës, sepse nga ai Buxhet jetojnë që të gjithë dhe besoj se deputetët do ta aprovojnë këtë Buxhet”.

“Ne besojmë fuqishëm tek deputetët që do ta miratojmë këtë Ligj dhe do t`i marrë votat e nevojshme”.

Por, Ismet Beqiri ka thënë se LDK do ta braktisë Kuvendin, në rast se nuk ndryshon amandamenti që siguron shitjen e aksioneve të Postës përmes Projekt-Buxhetit 2014. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që këtë çështje ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse ky amnadament si i tillë mbetet edhe pas shqyrtimit edhe në komisionet tjera, ne si LDK nuk do të qëndrojmë në sallë, nuk do të marrim përgjegjësi për diçka që është kundër Ligjit dhe Kushtetutës”.

“Prandaj ne si Lidhje Demokratike e Kosovës nuk do ta pranojmë një Buxhet të tillë, nuk do ta votojmë. Mbi të gjitha, ne nuk do të hyjmë fare në seancë, do ta bojkotojmë një seancë të tillë ku është i përfshirë ky amandament”.

“Do të shohim të gjitha procedurat ligjore dhe kushtetuese që një dokument të tillë ta dërgojmë në instancat tjera, në këtë rast pse jo edhe në Gjykatën Kushtetuese”.

Ndërsa Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se do të marrin të gjitha masat në sallën e Kuvendit për ta pamundësuar votimin e një amandamentimi të tillë.

“Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë këtë amandamentim, do ta kundërshtojë këtë Ligj për Buxhetin dhe do t’i marrim të gjitha masat përbrenda sallës së Kuvendit për ta pamundësuar trajtimin apo votimin një amandamentimi të tillë”.

“Ne kemi nisur një proces diskutimi me Grupin Parlamentar të LDK’së për ta dërguar këtë amandamentim në Gjykatën Kushtetuese  dhe besoj se, nëse jemi të bindur që ka material për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ne jemi dakord që të bashkëpunojmë edhe me LDK’në, në mënyrë që ta dërgojmë këtë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se ne nga ana jonë jemi të bindur se kjo është edhe  shkelje Kushtetuese”.