Buxheti i Rahovecit, në minus për 2.2 milionë euro

Mbi dy milionë euro është shuma e borxheve që ka Komuna e Rahoveci për vitin e kaluar, e shuma e dëmeve nga reshjet e fundit arrin në mbi 200 mijë euro, tha kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi.

Lajme

31/08/2014 16:32

Në një intervistë për KosovaPress, Vehapi tha se ende po ballafaqohen me problemin e borxhit të trashëguar nga pushteti i kaluar, madje ende është duke punuar me buxhetin e vitit 2013. Por, ai shton se nuk po ndalen në realizimin e shumë projekteve.

Sipas Vehapit, shuma e borxheve të faturuara ka qenë mbi 2 milionë euro, kurse me borxhet e kontraktuara për projekte dy apo trevjeçare kanë qenë rreth 7 milionë euro, shumë kjo është shumë e lartë dhe do ta lehtësojë pozitën e Komunës vetëm në vitin 2016.

Ai u shpreh se kanë bërë kërkesa nëpër ministri për t’iu dalë në ndihmë për buxhet komunal, por meqë Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, kjo ka ndikuar që rishikimi i buxhetit për vitin 2014 të shtyhet.

Sipas Vehapit, edhe pse pushteti i kaluar deklaron që shuma e borxhit të lënë nga ta nuk është e vërtetë, ai tha se kjo gjë mund të vërtetohet shumë lehtë pasi që ekzistojnë dokumentet dhe kontratat që janë bërë gjatë pushtetit të kaluar komunal.