Buxheti ambicioz, mundësitë e kufizuara në Maqedoninë e Veriut

Projektimi i buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 nuk dallon shumë nga ai i viteve të mëparshme, kur nuk kishte krizë ekonomike, e as nuk është projektuar sipas të hyrave të planifikuara, thonë njohësit e çështjeve ekonomike. Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 parashihet të jetë rreth 5.3 miliardë euro, apo…

Lajme

27/11/2022 16:12

Projektimi i buxhetit të Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 nuk dallon shumë nga ai i viteve të mëparshme, kur nuk kishte krizë ekonomike, e as nuk është projektuar sipas të hyrave të planifikuara, thonë njohësit e çështjeve ekonomike.

Buxheti i Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 parashihet të jetë rreth 5.3 miliardë euro, apo 600 milionë euro më shumë se buxheti i ribalancuar i këtij viti, i cili ishte 4.7 miliardë euro.

Parashikimet e Qeverisë për zhvillim ekonomik dhe investime në projekte kapitale, infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, energjetikë, e subvencione për sektorin privat, vështirë se do të mund të realizohen, thotë Pavle Gacov, ekspert i ekonomisë.

“Edhe ky buxhet është hartuar sipas nevojave të shtetit, e jo sipas mundësive, pra të hyrave të planifikuara”, thotë ai.
Sipas Ministrisë së Financave, të hyrat buxhetore pritet të jenë 4.58 miliardë euro, ndërsa deficiti 700 milionë euro. Paratë do të sigurohen nga tregjet e brendshme dhe të jashtme. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, nuk e përjashton mundësinë e shitjes së eurobondit [letrave me vlerë], por thotë se për këtë priten kushte më të favorshme.

Ai thotë se paratë që mbushin arkën e shtetit mbështeten në reformën e re tatimore që duhet të hyjë në fuqi më 1 janar.

“Nuk do të ketë rritje të taksave, nuk do të ketë taksa të reja. Reforma bazohet në zgjerimin e bazës tatimore”, deklaron ai, por pa dhënë detaje se çfarë do të përfshijë kjo reformë.
Por, ish-ministri i Financave, Xhevdet Hajredini, thotë se të gjitha projektimet do të “bien në ujë” pas disa muajsh, kur do të ketë një ribalancim të buxhetit apo ridestinimin e mjeteve për nevoja tjera, në pamundësi për zbatimin e asaj që është projektuar.

“Miratimi i buxhetit përdoret ekskluzivisht për qëllime populiste, propagandistike, partiake dhe demagogjike. Pretendohet se buxheti mbështet reformat dhe është i orientuar drejt proceseve integruese europiane, por Qeveria hesht lidhur me situatën e rëndë ekonomike dhe problemet që lidhen me shpenzimet buxhetore. Paralajmërohen kursime, por nuk thonë se sa dhe nga do të shkurtojnë dhe cilat do të jenë efektet e shkurtimeve”.

“Edhe ato para që janë të destinuara për shpenzime publike, nuk kanë kapacitet për t’u përdorur për këtë, por mbeten në llogaritë e institucioneve dhe në fund me ribalancimin destinohen për nevojat tjera”, thotë ai.
Sipas parashikimeve, për investime kapitale vitin e ardhshëm janë paraparë 795 milionë euro, apo 200 milionë euro më shumë se këtë vit.

Por,sipas ekonomistëve, ky është një parashikim joreal nëse merret parasysh fakti se më shumë se 40 për qind e parave të planifikuara për investime kapitale vitin e kaluar nuk u realizuan dhe më pas u shkurtuan me rishikimin e buxhetit.

Gacov parashikon që edhe këtë vit do të ketë shkurtime në shpenzimet kapitale të planifikuara, praktikë edhe e viteve paraprake.

“Se a do të ketë ndikim pozitiv buxheti në zhvillimin ekonomik, ndër të tjera do të varet edhe nga saktësia e shpenzimeve kapitale të planifikuara. Dhe, në këtë buxhet shpenzimet kapitale të parashikuara janë tepër ambicioze dhe të parealizueshme në terren”, thotë ai.

Në prezantimin e projekt-buxhetit, zyrtarët kanë thënë se paratë për projekte kapitale do të ndahen për ndërtimin e hekurudhave, gazsjellësit, kopshteve, shkollave dhe autostradave.
Por, projekti më i madh i autostradës Kërçovë – Ohër, ka dhjetë vjet që nuk ka përfunduar, njësoj siç nuk kanë përfunduar as dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë, rruga në drejtim të Kosovës, edhe pse edhe për të premtohet qe një dekadë.

Partia opozitare, VMRO DPMNE, thotë se ky është buxheti dhe deficiti më i rëndë që është përtej të gjitha kornizave të qëndrueshmërisë dhe rrezikut për ekonominë, si dhe mungesës së një plani për përballimin e inflacionit.

“Lidhja Social Demokrate në pushtet nuk ka plan për tejkalimin e krizës. Buxheti prej 5.3 miliardë dollarësh vetëm se tregon se do të huazojnë sa të munden. Nga praktika e mëparshme e Qeverisë dhe raporti me financat publike, me siguri mund të konstatojmë se do të jenë 5.3 miliardë euro të shpenzuara për shpenzime joproduktive, pa asnjë përfitim dhe pa komponentë zhvillimore”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, vitin e ardhshëm ekonomia e Maqedonisë së Veriut do të ketë rritje të ngadaltë apo 2.9 për qind dhe inflacion prej 7.1 për qind.