Bushi: Këta tre talentë duan të vijnë te Shqipëria

Vëzhgimi i talenteve është një strategji që ka sjellë shumë emra dhe futbollistë në Shqipëri. Alban Bushi po vijon turneun nëpër Europë për të parë nga afër futbollistë që mund të jenë pjesë e së ardhmes në Kombëtaren U21 apo edhe më vonë si pjesë e Kombëtares A.

Sport

04/04/2019 13:49

Së fundmi, trajneri i ekipit Shpresa ka ndjekur një ndeshje të Ligës së dytë në Zvicër, mes Shafhausen dhe Winterthur, ndeshje e fituar nga kjo e fundit edhe me golin e Taulant Seferit.

Trajneri i ekipit Shpresa ka zbuluar ekskluzivisht lëvizjet për futbollistët që mund të bëhen në të ardhmen pjesë e U-21 të Shqipërisë dhe më tej të Kombëtares A.

Trajneri i Kombëtares U21, në një prononcim për “Panorama Sport”, tregon edhe lojtarët e radhës që ka nën vëzhgim, si dhe arsyen e vizitës në Zvicër. “Isha për të parë ndeshjen në fjalë, për shkak se aty ndoqa një futbollist që mund të bëhet pjesë e jona. Bëhet fjalë për Valon Hamdiun, një lojtar që luan si mbrojtës i djathtë, por bën lehtësisht edhe rolin e qendërmbrojtësit apo edhe të mesfushorit para mbrojtjes. Kam komunikuar me të atin e tij dhe ai më ka thënë:

‘Dëshira është që të jemi me Shqipërinë. Edhe djali këtë preferon’”, deklaron Bushi për gazetën.

Mësohet se për lojtarin në fjalë ka pasur edhe interesim nga Kosova, mirëpo deri më tani ka bërë përshtypje vetëm vizita e trajnerit të U-21 të Shqipërisë që ka udhëtuar posaçërisht për futbollistin dhe kjo mund të  ndikojë në vendimin pozitiv për t’iu bashkuar kuqezinjve.

ERDON DACI Më tej, trajneri i Kombëtares U-21 zbulon ekskluzivisht edhe një tjetër emër që mund të jetë në të ardhmen pjesë e kuqezinjve. Bëhet fjalë për futbollistin e Koniaspor U-21, Erdon Daci. “Po e kam ndjekur. Është një futbollist mesfushor, luan në kampionatin turk dhe unë kam komunikuar me trajnerin e tij”

ERIS ABEDINI Një tjetër alternativë, për të cilin Bushi është vënë në lëvizje, është edhe Eris Abedini. Gjithashtu, pjesë e Uinterthur, ku luan Taulant Seferi, Bushi ka piketuar edhe mesfushorin shtatlartë 1.9 metra, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Zvicrës U-20 dhe mbetet në pritje për të vijuar rrugëtimin me helvetët. “Mund ta konfirmoj që është futbollist interesant dhe do të na bënte punë.”