Burim Ramadani pyet nëse “Molotovi” dhe djegia e veturave u ndal ngase Vetëvendosje mbeti e vetmuar

Ka rreth një muaj që nuk kanë ndodhur raste të sulmeve djegieve të veturave dhe sulme të tjera me shishe molotovi. Si për koincidencë kaq kohë po bëhen edhe nga përçarja e bllokut opozitar i përbërë nga Levizja Vetëvendosje dhe AAK e Nisma.

Lajme

22/04/2016 12:07

Përgjegjëse për djegien në mënyrë të organizuar të veturave zyrtare dhe sulmet me “molotov” ndaj institucioneve është parë Lëvizja Vetëvendosje, por kjo e fundit vazhdimisht i ka mohuar këto pretendime publike të përfaqësuesve të caktuar të pozitës, raporton lajmi.net.

Në Vetëvendosje thonin se sulmet po kryhen në formë të paorganizuar nga ana e qytetarëve të pakënaqur me qeverisjen në vend.

Burim Ramadani

Por, Burim Ramadani, ish-deputet i AAK-së, dhe njohës i çështjeve të sigurisë, përmes një komenti në Facebook, e ngrit dilemën nëse është e rastësishme ndalja e këtyre sulmeve.

Duke mos përmendur me emër Vetëvendosjen, por duke aluduar në ta, Ramadani thotë se e vërteta e atyre sulmeve është se ideologët e tyre mbetën të vetmuar.

Postimi i plotë i Ramadanit:

Diçka për “Molotovin” dhe djegien e veturave, izolimin dhe dështimin!

Miq,

S’po mundet pa i bërë disa pyetje publike dhe disa konstatime:

A po ju duket se “Qytetarët e pakënaqur” kanë filluar ta heqin “pakënaqësinë”?! A ndryshoi ndonjë gjë apo u vetëdijësuan se akte të tilla nuk janë shqiptare në përmbajtje?

Apo, ndoshta e vërteta është vetëm se ideologët e këtyre veprimeve kanë mbetur të vetmuar, pasi nuk i dhezi plani për marrje të gjithçkaje, prandaj kanë kuptuar se përgjegjësia është më lehtë e identifikueshme?!

Po më duket se izolimi i ideologëve të konfliktit apo shfrytëzuesve të situatave po jep rezultatet e para në siguri publike.

Tashmë, fatmirësisht, po bëhen rreth një muaj prej kur kanë qenë rastet e fundit kriminale të “Molotovit” dhe djegies së veturave!

Sidoqoftë, edhe njëherë duhet konstatuar qartë se organet e rendit dhe drejtësisë kanë dështuar keq në zbardhjen e këtyre akteve kriminale.

Dështimi i organeve të rendit dhe drejtësisë për të gjetur Molotov-gjuajtësit dhe “piromanët” e veturave duhet të pasohet me dhënie të përgjegjësisë nga zyrtarët përgjegjës në ato institucione.

Thjesht, dikush duhet të largohet nga detyra, për shkak të dështimit!

/lajmi.net