Bunjaku përdorë shembullin e Majlindës për t’i ftuar yjet

"Suksesi i Majlindës erdhi në momentin më të mirë. Ajo duhet të jetë shembull për të gjithë se si duhet të promovohet shteti. Kosova nuk ka para dhe nuk mund t’i japë para askujt, por Kosova mund t’i japë ndjenjat që asnjë vend tjetër nuk mund t’i ofrojë”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki.

Sport

10/08/2016 18:58

Ai ka kërkuar nga futbollistët kosovarë që janë në proces të pranimit apo jo të fanellës së Kosovës, që ta marrin shembull Majlinda Kelmendin se si duhet të dashurohet atdheu.

Bunjaki ka thënë se Kosova nuk ka para, dhe se jo gjithçka duhet të lidhet për para. Ai kujton se Majlinda Kelmendi, e cila të dielën në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, i siguroi medaljen e artë Kosovës, ka refuzuar shumë shtete të forta ekonomikisht që kanë ofruar edhe miliona euro, vetëm e vetëm ta përfaqësojë vendin e saj.

“Suksesi i Majlindës, besoj se çdo shqiptar e ka bërë të qajë, pasi ishte diçka madhështore. Kjo vajzë duhet të jetë shembull për të gjithë se si duhet të ndihmohet dhe të promovohet shteti. Pra, jo gjithçka është te paraja. Kosova nuk ka para dhe nuk mund t’i japë para askujt, por Kosova mund t’i ofrojë ndjenjat që asnjëherë nuk mund t’i japë asnjë vend tjetër. Me kujtohet ndeshja e parë që e luajtëm me Haitin në Mitrovicë, e që as për së afërmi nuk krahasohet me suksesin e Majlindës, por disa lojtarë që kanë luajtur në nivele të mëdha evropiane më janë afruar dhe më kanë thënë: ‘Trajner, kurrë kësi ndjenje nuk kam pasur’”. Pra, ndjenjat që t’i jep vendi yt nuk t’i jep askush”, ka thënë Albert Bunjaki, i cili beson shumë se suksesi i Kosovës në Olimpiadë, gjithsesi se do të ndikojë edhe të sportistët e tjerë.

“Ky sukses ka ardhur në momentet më të mira dhe unë po besoj shumë se do të ndikojë edhe të futbollistët që Kosova pretendon t’i ketë në gjirin e vet”, ka thënë numri një në bankinën e Kosovës, Albert Bunjaki, shkruan sot gazeta “Kosova Sot”.