Bunjaku: Nuk e provokuam askënd me armë

Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, gjatë grumbullimit të tyre para ndeshjes me Haitin, e bënë një fotografi, ku shiheshin me armë në duar. Ky veprim i ka çartur mediat serbe, ndërsa kjo fotografi më pas e bëri xhiron e botës. Por, futbollisti kosovar, Albert Bunjaku, i cili luan në Kaiserslautern, ka sqaruar se fotografia nuk…

Sport

10/03/2014 17:20

Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, gjatë grumbullimit të tyre para ndeshjes me Haitin, e bënë një fotografi, ku shiheshin me armë në duar.

Ky veprim i ka çartur mediat serbe, ndërsa kjo fotografi më pas e bëri xhiron e botës. Por, futbollisti kosovar, Albert Bunjaku, i cili luan në Kaiserslautern, ka sqaruar se fotografia nuk ka të bëjë asgjë me provokim, por se ishte vetëm një zbavitje.

“Me këtë veprim nuk deshëm ta provokonim askënd. Kemi shkuar të gjuanim për ta forcuar shpirtin e ekipit. Do të ishte një budallëk nëse do të mundoheshim të provokonim me qëllim. Por, nuk ishte kështu. Ne duam vetëm të luajmë futboll”, deklaroi ish përfaqësuesi zviceran për magazinën zvicerane, ‘Blick’.

Edhe futbollisti i Orebros, Shpëtim Hasani, që po ashtu është pjesë e kësaj fotografie, e shpjegon më në detaje këtë rast.

“Nuk ishte asgjë speciale. Ishim disa lojtarë në hotel dhe nuk kishim çka të bënim. Njëri prej djelmoshave na sugjeroi të shkonim për qitje. Pastaj e bëmë foton, por nuk e di se si është interpretuar kjo”, thotë futbollisti gjilanas.

“E di që ka pasur reagime në Serbi, por kjo nuk është dashur të ndodhte. Ne me të vërtetë nuk kemi dërguar kurrfarë mesazhi, kjo nuk ishte e menduar. Nuk donim ta provokonim askënd. Ne vetëm ishim duke u përpjekur të gjenim pak argëtim, por ndonjëherë mund të jetë ndonjë mënyrë e gabuar”, përfundoi ai.