Bullgaria, Greqia dhe Rumania kërkojnë një korridor të ri gazi

Bullgaria, Greqia dhe Rumania i kanë kërkuar mbështetje Bashkimit Evropian për krijimin e një lidhjeje të re gazi mes tri vendeve, një javë pasi Rusia njoftoi se projekti i saj i gazsjellësit "South Stream" do të ndërpritet.

Bota

09/12/2014 21:45

Me anë të një deklaratë të përbashkët tri vendet theksuan se ato “mbështesin krijimin e një korridori të ri vertikal gazi që do të lidhte Greqinë, Bullgarinë dhe Rumaninë, me idenë për të siguruar furnizime të pandërprera dydrejtimëshe”.

“Tri palët i kërkojnë Komisionit Evropian të mbështesë nismën tonë për më shumë bashkëpunim rajonal dhe për promovimin e projekteve të domosdoshme, shtuar këtu realizimin efektiv të tyre”, shtohet në deklaratë.

Ndërkohë, komisionari i Bashkimit Evropian për Energjinë, Maros Sefcoviç tha se komisioni ishte i gatshëm për të përdorur fondet evropiane për të kontribuar në sistemin energjetik të këtyre vendeve, si pjesë e të gjithë sistemit evropian të energjetikës.

Greqia është parashikuar të jetë një prej vendeve nëpër të cilat do të kalojë gazsjellësi TAP, që nga Greqia vazhdon për në Shqipëri dhe më tutje në Itali dhe vende tjera të BE-së.