Buffon: Kroaci – Itali, ja çfarë do t’i them Rakiticit

Portieri i Italisë, Gianluigi Buffon ka thënë se do t’i japë komplimente mesfushorit kroat, Ivan Rakitic, në ndeshjen e së premtes në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016.

Sport

11/06/2015 21:12

Ivan Rakitic realizoi njërin prej golave në fitoren e Barcelonës ndaj Juventusit me rezultat 3:1, në finalen e Ligës së Kampionëve, të shtunën e shkuar.

Ai mposhti portierin Gianluigi Buffon në triumfin e skuadrës katalane në Berlin.

Por, Rakitic e Buffon do të takohen sërish të premten në ballafaqimin mes Kroacisë dhe Italisë në kuadër të eliminatoreve për Euro 2016.

Kapiteni i Azzurrëve ka thënë se do t’i japë komplimente Rakiticit.

“Rakiticit do t’i jap vetëm komplimente, për karrierën që është duke bërë, për suksesin e tij të fundit të kurorëzuar me një gol kundër nesh”, deklaroi Buffon.

“Finalja e humbur? Jam krenar me atë medalje, sa herë e shoh do të shërbejë si inspirim për të luajtur një tjetër ndeshje të atij niveli, me Juventusin dhe Kombëtaren”, u shpreh ai.