BSPK e hedh në gjyq Aeroportin e Prishtinës

Tridhjetë e shtatë ish-punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, do të dëshmojnë në Gjykatën Themelore të Lipjanit për të kundërshtuar largimin e tyre nga puna.

Lajme

05/03/2015 20:10

Pavarësisht këtij procesi, menaxhmenti i këtij aeroporti këtyre ditëve ka larguar edhe 17 punëtorë të tjerë, raporton KTV.

Ky veprim nuk i ka pëlqyer BSPK-së, e cila e ka hedhur në gjyq Aeroportin, pasi vlerësojnë se menaxhmenti aktual po merr veprime në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Sipas tyre menaxhmenti i Aeroportit duhet të konsultohet me Sindikatën para se të marrë vendim për t’i larguar punëtorët nga puna.

Madje sindikalistët kanë thënë se largimi punëtorëve është fshehur nga ana e menaxhmentit.

Mirëpo këto deklarata i ka kundërshtuar menaxhmenti i ANP-së. Ata kanë thënë se të gjitha informacionet u janë dhënë sindikalistëve në takimin që këta të fundit kanë kërkuar ta mbajnë të mërkurën.

Menaxhmenti i Aeroportit ka bërë të ditur se nuk kanë në plan të bëjë largime të tjera, raporton KTV.