BSPK: Deklarata e Qeverisë është ndërhyrje dhe kufizim i së drejtës të sindikatave

Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj sindikatave të cilat kanë paralajmëruar greva e protesta nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, kanë nxitur shumë reagime së fundmi në Kosovë.

Lajme

07/12/2021 20:47

Në një konferencë për media, Kurti kishte deklaruar se ashtu siç ka ndryshuar politika në vend, është mirë të ndryshojnë edhe kryesitë e sindikatave.

E kjo deklaratë nuk ishte pritur fare mirë nga kryesuesit e sindikatave në Kosovë, të cilat i kanë kërkuar Kurtit të qëndrojë larg udhëheqësisë së sindikatave dhe të merret me plotësimin e kërkesave të tyre.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, Atdhe Hykolli, në një prononcim për lajmi.net ka deklaruar se organizimet sindikale në Republikën e Kosovës janë organizime të bazuara në ligjet ekzistuese.

Ai ka thënë se mbrojtja e interesave të sindikalistëve është një e drejtë e garantuar me Kushtetutën e vendit, ndërsa ka thënë se deklaratat e fundit nga Qeveria e Kosovës nuk janë gjë tjetër veçse ndërhyrje e cila çon drejtë kufizimit të kësaj të drejte që është e garantuar me Kushtetutë.

“Mbrojtja e interesave, e në këtë rast i interesve të sindikalistëve është një e drejtë e garantuar me aktin më të lartë – Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dhe deklarata e djeshme e Qeverisë lidhur me organizimet sindikale nuk është gjë tjetër veçse se një ndërhyrje e cila çon kah kufizimi i kësaj të drejte të garantuar me Kushtetutë. Qeveria si partneri social kryesor i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk do të duhej të ndërhyjë në funksionimin sindikal, njëjtë siç kujdeset edhe organizimi sindikal të mos ndërhyjë në funksionimin e Qeverisë”, ka thënë Hykolli.

Tutje, ai ka thënë se kërkesat e organizatave sindikale janë kërkesa legjitime dhe jo ndërhyrje në punën e Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesat e drejta dhe legjitime të Organizatave sindikale nuk janë ndërhyrje në punën e Qeverisë por janë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve, prandaj nuk duhen marrë nga Qeveria si armiqësore po duhen marrë si bashkëpunim midis partnerëve socialë duke u kujdesur të jetë bashkëpunim parimor dhe i drejtë e mbi të gjitha – ligjor. Nuk duhet harruar që ndërhyrja dallon prej kërkesës. Prandaj kufizimi i së drejtës së garantuar duke përcaktuar zgjedhjen e atyre që udhëheqin dhe përfaqësojnë këto organizime si të përzgjedhur legjitim të atyre që përfaqësohen – sindikalistëve anëtarë të organizimeve sindikale është ndërhyrje”, ka thënë Hykolli.

Ai ka thënë se kërkesa e tyre për përshpejtimin e miratimit të Ligjit të Pagave është mbrojtje dhe përfaqësim i drejtë e ligjor i interesave të sindikalistëve.

Kujtojmë se dje, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar protesta të mëdha nëse deri në javën tjetër Qeveria nuk reflekton në përmbushjen e premtimeve.

Paralajmërime të njëjta kanë dhënë edhe nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, të cilat gjithashtu kanë deklaruar se do të organizojnë greva e protesta në rast se nuk përmbushen kërkesat e tyre nga Qeveria e Kosovës. /Lajmi.net/