Bruksel: Protestuesi shqiptar godet me shuplakë kameramanin serb

Protestues, kryesisht shqiptarë nga Kosova sot gjatë një proteste në Bruksel, kanë sulmuar një kameraman të agjencisë serbe të lajmeve Tanjug. 

Lajme

09/02/2015 15:57

Sulmi thuhet të ketë ndodhur kur ekipi i Tanjug iu afrua grupit prej rreth 30 vetave që po protestonin kundër dialogut Kosovë-Serbi, që rifillon sot në Bruksel, ku do të takohen kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, transmeton lajmi.net. 

Gazetarët e Tanjug që ishin duke përcjellë këtë protestë i pyetën protestuesit nëse dikush prej tyre dëshironte të jepte ndonjë deklaratë në lidhje me atë që ishin mbledhur aty. 

Njëri nga protestuesit thuhet ta ketë goditur me shuplakë kameramanin Mark Trosiq. 

Ngjarja është parë edhe nga policia belge që po mbikëqyrte protestën. Policia e ka pyetur kameramanin serb nëse dëshironte të ngrit akuzë kundër protestuesit. “Ky është Brukseli, dhe ne nuk jemi mësuar me gjëra të tilla, që protestuesit të sulmojnë gazetarët”, ka thënë një nga përfaqësuesit e policisë belge.

Protestuesit mbanin parulla si “Larg duart nga Trepça”, “BE ndal mbështetjen për politikanët e korruptuar” dhe të tjera të ngjashme. 

Duhet cekur se gazetarët serbë janë sulmuar edhe gjatë protestës së parë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në muajin janar të këtij viti. (lajmi.net)