Brovina kërkon mbështetje nga Zvicra për shëndetësinë

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Flora Brovina, ka pritur sot në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang.

Lajme

11/02/2015 18:11

Ajo kërkoi mbështetjen e Zvicrës në ofrimin e trajnimeve të kuadrove të sektorit të shëndetësisë me qëllim të trajtimit të pacientëve brenda Kosovës dhe zvogëlimin e numrit të tyre që kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Brovina foli edhe për Ligjin për sigurime shëndetësore, i cili pritet të fillojë të zbatohet gjatë këtij viti, e që konsiderohet mjaft i rëndësishëm për sektorin shëndetësor dhe qytetarët e vendit.

Ambasadorja Lang, prezantoi programet të cilat do t’i zhvillojnë në sektorin e shëndetësisë, si në ofrimin e trajnimeve profesionale për menaxherët dhe stafin profesional të institucioneve të kujdesit primar shëndetësor.

Ambasadorja, ndërkaq, përmendi edhe mbështetjen e Bankës Botërorë nëpërmjet Fondit të Mirëbesimit, në vlerë prej 25 milionë euro, për vazhdimin e reformës shëndetësore, si dhe mbështetjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore .

Brovina dhe Lang u pajtuan se të dy vendet duhet t’i zhvillojnë diskutimet e nevojshme për nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shëndetësore, si dhe për pensionet e qytetarëve të cilët kane jetuar dhe ende vazhdojnë te jetojnë ne Zvicër.