Britaninë e pret dimri më i ftohtë në 100 vjetët e fundit (Video)

Sipas meteorologëve, Britania e Madhe duhet të përgatitet për tri javë shumë të ftohta, të cilat nuk i ka përjetuar për një shekull të plotë. 

Bota

09/12/2014 20:23

Fotot e publikuara nga gazeta Mirror tregojnë se territori britanik do të përballet me një stuhi shumë të ftohtë këtë dimër.

Parashikuesit e motit frikësohen se stuhitë në Atlantik mund të nxjerrin drunjtë me rrënjë, të shembin shkëmbinj, si dhe të shkaktojnë probleme në furnizim me energji elektrike. Një imazh dramatik tregon se si rriten dallgët e detit, duke rrezikuar vendet bregdetare.

Shpejtësia e erës mund të arrijë në 80 km/h dhe temperaturat në disa zona të veriut mund të zbresin deri në -9 ° C. Disa zona të vendit rrezikohen që të goditen nga një stuhi e dytë.

Pjesa më e madhe e Skocisë tashmë është e mbuluar me borë dhe reshjet e shumta të shiut janë një ndër çështjet shqetësuese.

Një prej parashikuesve të motit ka thënë: “Ne presim të përballemi të paktën me tri javë shumë të ftohta. Vendi duhet të përgatitet për çrregullime”.

Muajin e kaluar u parashikua se Britania duhet të përgatitet për dimrin më të ftohtë në këta 100 vjet.

Ekspertët e motit bën këto parashikime duke pretenduar se kanë studiuar rrjedhat e ajrit në atmosferë. Britania mund të përshkohet nga temperatura të ulëta, të ngjashme me ato të vitit 1947, kur temperaturat mesatare ranë në -2.7 ° C. Deri më tani, dimri i periudhës 2009-2010 pretendohet si më i ftohti në këta 31 vjet.