Britanikët tallen me Putinin (Foto)

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ish-kreu i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, natën e mbrëmshme ishin subjekt talljeje në qytetet e Britanisë së Madhe.

Bota

06/11/2014 11:12

Nata e Zjarreve, e cila shënohet mbrëmjen e çdo 5 nëntori në kujtim të komplotit të dështuar për të hedhur në erë Dhomat e Parlamentit britanik, më 1605, ashtu sikurse edhe më parë, u shoqërua me portrete përqeshëse.

Kësaj radhe, të përzgjedhurit më të dalluar për tu përqeshur nga britanikët në skenën politike ndërkombëtare ishin rusi dhe portugezi, portretet e të cilëve do të digjen në thuren e druve gjatë manifestimeve të kësaj jave.

Putini për qëndrimet e tij “autoritare” në Rusi dhe qasjen “armiqësore” ndaj Ukrainës, ndërsa Barroso për politikat e tij “të dështuara” brenda Bashkimit Evropian dhe qasjen e tij “të gabuar” ndaj Britanisë.  

Portreti i Putinit lakuriq i vendosur mbi një karrocë të shndërruar në tank u shfaq në juglindje të Anglisë, në qytetin Lewes, ku edhe mbahen festimet më të mëdha.

Presidenti rus, në portret i ishin vizatuar vetëm të brendshmet, të gjelbra, të tërhequra mbi supet e tij, në stilin e karakterit të komikut britanik Sacha Baron Cohen, të njohur si Borat.

Ndërkohë, në Edenbridge subjekt talljeje ishte ish kreu i Komisionit Evropian, portugezi Borroso, karikatura dhjetë metësh e të cilit u zbulua në një hapësirë të gjelbëruar të qytetit.

Vitet e fundit, përqeshja e figurave publike Natën e Zjarreve është bërë gjë e zakonshme në Britani, raporton CBS, transmeton lajmi.net.

Subjekt përqeshjeje në qytetin Lewes në të kaluarën ishin edhe kryeterroristi i Al Qaedas, Osama bin Laden, ish-diktatori irakian, Sadam Hysein, ish-presidenti francez, Jasques Chirac  , si dhe futbollistët Mario Balotelli dhe Wayne Rooney.

Dy portrete të politikanit skocez, Alex Salmond, që udhëhoqi fushatën për pavarësimin e Skocisë këtë vit, por që dështoi, u tërhoqën nga programi, pas protestave të së mërkurës, pasi u vlerësua si “nxitje” e panevojshme e përçarjes mes skocezëve dhe anglezëve. /lajmi.net/