Britania e Madhe mbështet “zonën e sigurisë” në Siri

Qeveria e Britanisë së Madhe ka shprehur mbështetjen e saj për zonën e sigurisë që do të krijohet në Siri për refugjatët, raporton Anadolu Agency (AA).

Bota

09/09/2015 19:06

Sipas informacionit që gazetari i AA-së ka marrë nga burimet e Ministrisë së Jashtme të Britanisë mësohet se Qeveria Britanike mbështet mendimin se “ideja e një zone të sigurisë, është plotësisht një ide e drejtë”. Burimet e ministrisë kanë rikujtuar deklaratën e ditëve më parë të Kryeministrit Britanik David Cameron në Dhomën e Përfaqësuesve të parlamentit britanik.

Cameron në një fjalim në seancën ku u shqyrtuan çështjet për luftën kundër terrorizmit dhe të refugjatëve sirianë iu përgjigj pyetjeve të ish-ministrit të mbrojtjes dhe deputetit të Partisë Konservatore, Liam Fox në lidhje me krijimin e zonave të sigurta në Siri.

David Cameron duke vënë në dukje se do të vazhdojnë të shqyrtojnë çështjen e “zonës së sgurisë” u shpreh se: “Nëse do të krijohen zonat e sigurta, duhet të jemi të sigurtë se ato jenë të tilla. Dhe kjo është e mundshme me kontributin në konceptin ushtarak të Turqisë, SHBA dhe potencialisht të Britanisë. Duhet të përqendrohemi se çfarë është qëllimi i zonave të sigurisë. Duhet të përpiqemi të mbajmë këto njerëz në shtëpitë e tyre, në komunitetin e tyre ose nëse do të largohen, në vend që të ndërmarrin kalimet e rrezikshme në Europë duhet të sigurojmë që të qëndrojnë të sigurtë në kampet e refugjatëve”.

Kryeministri britanik Cameron më parë kishte njoftuar se në 5 vitet e ardhshme do të pranonin 20 mijë sirianë nga kampet e Turqisë, Jordanisë dhe Libanit, por dihet se brenda Partisë Konservatore e cila drejtohet nga Cameron ka nga ata që kanë shprehur idenë se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme dhe se duhet të krijohet një zonë sigurie brenda Sirisë.