Britania del edhe njëherë kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë

Vetëvendosje është takuar sot me delegacionin britanik i cili është duke qëndruar në Kosovë.

Lajme

17/07/2019 12:11

Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ka bërë të ditur se kryetari i subjektit, Albin Kurti e ka informuar kryesuesin e delegacionit, Andreë Page, për mungesën e zhvillimit ekonomik në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Në fillim të takimit Kryetari Kurti e njoftoi z. Page për zhvillimet e fundit në Kosovë me fokus të veçantë situatën socio-ekonomike, mungesën e zhvillimit ekonomik, nivelin e lartë të papunësisë sidomos tek gratë dhe të rinjtë, nevojën për reformim të sistemit të drejtësisë dhe nevojën shumë të madhe të lidhjes së sistemit edukativ me ekonominë”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, z. Page tregoi interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i ndihmuar Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik përmes përkrahjes së ndërmarrësisë tek të rinjtë me interes të veçantë në fushën e shkencave kompjuterike dhe dixhitalizimit si dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që ata të mos largohen nga vendi.

Po ashtu, Page njoftoi për dyfishimin e fondeve që ndanë Mbretëria e Bashkuar për rajonin e Ballkanit Perendimor dhe dyfishimin e ekspertëve për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e krimit kibernetik.

Ndër çështjet tjera për të cilat u diskutua ishte Procesi i Berlinit, të arriturat dhe fushat ku duhet fokusuar në të ardhmen ku kryetari Kurti sugjeroi se Procesi i Berlinit duhet të iniciojë një fond për zhvillim ekonomik të ngjashëm për Ballkanin siç ishte Plani i Marshallit për Evropën me fokus të veçantë në qytetet e ndara.

Sa i përket dialogut më Serbinë Page ripërsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar e cila është kundër iniciativës për ndryshimin e kufijve. Ndërsa, Kurti ritheksoi qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për një dialog të hapur nga poshtë-lartë për zhvillim si mënyrë për integrim e përparim. /Lajmi.net/