Brenda tuneleve të Hamasit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se Izraeli do të intensifikojë sulmet në Rripin e Gazës derisa të shkatërrohet rrjeti i tuneleve të militantëve të Hamasit. 

Bota

30/07/2014 10:41

BBC ka xhiruar njërin prej tuneleve që radikalët islamikë e shfrytëzojnë për të kaluar në territorin izraelit, dhe pas sulmeve guerile, kryesisht ndaj ushtarëve, tërhiqen serish në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Shërbimit të Emergjencës në Gaza, Ashraf al Qudra, ka thënë se bombardimet izraelite të kryera të mërkurën kanë vrarë 16 palestinezë në Gaza,  në një shkollë që udhëhiqet nga OKB-ja.

Që nga vrasja e tre të rinjve izraelitë nga militantët e Hamasit, në fillim të këtij muaji, Izraeli është treguar i pamëshirshëm dhe gjatë luftimeve mes ushtrisë izraelite dhe radikalëve islamikë, janë vrarë mbi 1200 palestinezë, shumica civilë, si dhe 53 ushtarë izraelitë.  

Armëpushimi i arritur natën e Fitër Bajramit është prishur pas pak orësh nga militantët e Hamasit, të cilët kanë vazhduar gjuajtjen e raketave në territorin izraelit.   

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga palët armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, si nevojë emergjente humanitare, por Izraeli vazhdon të insistojë që siguria e tij është në pikëpyetje derisa nuk çarmatoset Hamasi, gjë që për këtë organizatë radikale islamike, është kusht i papranueshëm.