Brenda muajit migruan 20 nxënës të Besisë

Braktisja e shtëpive, Selim Osmanit, nga fshati Besi i Prishtinës, po i përngjan shumë me ditët e para të pasluftës, kur të shpërngulurit ende nuk ishin kthyer. Thotë se fshatrat po mbesin shkret sikurse asokohe gjatë luftës, nga migrimet që kanë nisur vitin e kaluar dhe “nuk po ka kush e shkel ma asfaltin”.

Lajme

03/02/2015 08:13

“Po i përngjan shumë ditëve të para të pasluftës qysh ka qenë këtu, se unë jam kthyer i pari nga Maqedonia. Nuk e di pse e banën këtë asfalt e i harxhuan kot paret, se s’po ka kush e shkel. I meçëm paska qenë shkau… Pse a mos po të kthehen ma? Ata që të pinë ujin e atjehit s’kthehen ma”, thotë Selim Osmani.

Ai nuk dëgjon bisedë tjetër sa herë që takohet me dikë, pos se “kish dalë filani e kish dalë fisteki”.

“Qe shokët e mi që kemi punu bashkë në një firmë të ndërtimit në Prishtinë gjysma kishin dalë. Tash nuk dëgjoj tjetër gjë sa herë që dal, veç ‘ish dalë filani’, ‘ish dalë fisteki’. Në banka jemi mbush kredi”, thotë Osmani për Koha Ditore.

Migrimi ka prekur edhe fëmijët. Amari më nuk do të vijojë mësimin në paralelen e ndarë fizike në fshatin Prugofc të shkollës “Nexhmi Mustafa”. Si ai janë rreth 20 nxënës të kësaj shkolle që janë larguar brenda një muaji. Sekretari Besim Arifi ka thënë se vetëm të hënën munguan 7 nxënës të shkollës “Nexhmi Mustafa”.