Brenda 10 ditëve sërish në Kosovë, nga Bashkimi Evropian flasin për vizitën e nesërme të Lajçak

I dërguar i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet që nesër të vizitojë Kosovën. I njëjti është paralajmëruar të zhvillojë një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Bashkimin Evropian në mënyrë për të kuptuar më tepër nga kjo vizitë e Lajçak. Në lidhje…

Lajme

05/02/2023 17:58

I dërguar i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet që nesër të vizitojë Kosovën.

I njëjti është paralajmëruar të zhvillojë një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Bashkimin Evropian në mënyrë për të kuptuar më tepër nga kjo vizitë e Lajçak.

Në lidhje me këtë, zëdhënësi i BE-së për Politike të Jashtme, Peter Stano, ka deklaruar se edhe kjo vizitë është në kuadër të punës që zhvillojnë zyrtarët e BE-së në lidhej me politikat specifike.

“Është një pjesë integrale e punës së çdo përfaqësuesi special të Bashkimit Evropian për të takuar partnerë dhe për të vizituar kryeqytetet në rajon, për të cilat Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian është përgjegjës”, deklaroi Stano.

Ai gjithashtu tha se zakonisht BE-ja nuk bënë njoftime specifike për vizita të tilla.

“Ne zakonisht as nuk bëjmë njoftime specifike për vizita të tilla pune dhe as nuk i komentojmë ato”,shtoi Stano.

Edhe pse nga Bashkimi Evropian, por edhe nga vetë Lajçak nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, mësohet se i njëjti do të zhvillojë një takim me kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Kjo është konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës nga ku u tha shkurt se Kurti dhe Bilsimi pritet që të kenë nesër një drekë pune me emisarin Lajçak.

Në këtë takim ndër të tjerash pritet që të diskutohet në lidhje me zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi, apo më qartë në lidhje me “ngecjet” e zhvillimeve të këtij dialogu.

Duhet theksuar se gjatë vitit të kaluar dialogu Kosovë-Serbi pati disa herë radhazi ndërprerje, e takimet e pakta të cilat u zhvilluan nuk sollën edhe shumë zhvillime apo benefite për shtetin e Kosovës.

Duke pas parasysh të gjitha këto, Lajçak vitin e kaluar ka zhvilluar vizita të shpeshta si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

I njëjti vizitoi Kosovën edhe 10 ditë më parë, ku zhvilloi një darkë pune me kryeministrin Kurti, si dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimi.

Zyrtarë të shumtë të Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe kryediplomatin e Bashkimin Evropian, Joseph Borell, si dhe zyrtarë të shumtë amerikanë, përfshirë këtu edhe sekretarin amerikan të Shteit, Anthony Blinken, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e Serbisë saktësisht presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në lidhje me propozimin e marrëveshjes së re të BE-së, apo njohur ndryshe në publik si propozimi franko-gjerman.

Për dallim nga kjo, në drejtim të Kosovës ka vazhdimisht kërkesa të hapura për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në drejtim të drejtuesve të shtetit të Kosovës, në mënyrë publike por edhe përmes takimeve në tryeza të shumta është kërkuar që Asociacioni të formohet në mënyrë urgjente.

Kjo kërkesë ka vazhduar të kundërshtohet nga kryeministri Kurti.

Duhet përkujtuar që propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë në fund të verës, edhe pse përmbajtja e tij zyrtarisht nuk është bërë publike.

Kjo theksohet të mos jetë bërë për shkak të konfedicialitetit të zhvillimeve në kuadër të të dy shteteve.

Pavarësisht kësaj, trysnia në drejtim të Kosovës për formimin e Asociacionit vazhdon të jetë tejet aktive.

Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar edhe një herë gjatë seancës së fundit plenare.

Kurti ka rendit gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, e të cilat nuk janë komentuar ende nga zyrtarët e BE-së apo SHBA-së.

Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.

Një marrëveshje për Asociacion ishte arritur në vitin 2013, e më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës pati bërë të ditur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon nga Kosova që të zbatojë marrëveshjet e arritura, ndërsa Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një Asociacioni njëetnik, madje kryeministri Kurti deklaroi hapur se kjo bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Edhe pse procesi i dialogut nisi më 2011, marrëveshje të pakta dolën nga takimet e Brukselit, e që shpesh herë janë vlerësuar si të pazbatuara./Lajmi.net/