Brazili në çerekfinale

Brazili u kualifikua në çerekfinale të Kampionatit botëror. Nikoqiri mposhti Kilin pas penalltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve u mbyll me rezultat 1:1.

Sport

28/06/2014 22:00

Brazili mposhti Kilin pas penalltive, dhe u kualifikua në çerekfinale të Kampionatit botëror. Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me rezultat të barabartë 1:1.

David Luiz kaloi Brazilin në epërsi me golin e tij nga afërsia në minutën e 18-të. Por, Kili nuk u dorëzua dhe barazoi rezultatin në minutën e 32-të kur sulmuesi Alexis Sanchez mposhti portierin Julio Cesar.

Të dyja skuadrat, e sidomos Brazili, patën disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh. Nikoqiri në fakt mendoi se riktheu epërsinë në minutën e 55-të kur shënoi Hulk, por goli i tij u anulua për lojë në dorë. Brazili shtoi sulmet drejt portës së Kilit mirëpo portieri Claudio Bravo ishte në nivel të detyrës dhe ia siguroi skuadrës së tij vazhdimet.

Pas dy herë nga 15 minuta nuk pati gola dhe fituesi u përcaktua me penallti. David Luiz, Marcelo dhe Neymar shënuan kurse Willian e Hulk gabuan te Brazili.

Kurse, kilianët shënuan vetëm tri herë nëpërmjet Charles Aranguiz, e Marcelo Diaz, pasi Julio Cesar priti dy goditjet e Mauricio Pinillas e Alexis Sanchezit, kurse Gonzalo Jara qëlloi shtyllën.