Brazilanët protestojnë kundër Botërorit në futboll

Protestuesit në Sao Paulo të Brazilit po protestojnë për shkak të shpenzimeve të mëdha për organizimin e Kampionatit Botëror në futboll.

Bota

16/05/2014 00:28

Protestuesit brazilianë kanë djegur goma dhe kanë bllokuar rrugët gjatë kohës kur ka pasur më së shumti qarkullim. Aktivistët kanë bërë thirrje që protesta të tilla të mbahen në më shumë se 50 qytete në mbarë Brazilin.

Vala e protestave pritet që të japë një tregues të mirë të sfidave të sigurisë me të cilat Qeveria mund të përballet gjatë Kampionatit Botëror, i cili do të nisë më 12 qershor.

Protestuesit kanë thënë se duan që Qeveria të investojë miliarda dollarë në projekte sociale, transport dhe strehim, në vend të organizimit të Kupës së Botës.

Njëra prej protestave më të mëdha ndodhi në distriktin Itaquera në Sao Paulo, jo shumë larg stadiumit të skuadrës së njohur braziliane Corinthians, i cili do të jetë mikpritës i ndeshjes hapëse të Botërorit.

Protestuesit kanë kërkuar kushte më të mira jetese dhe jo stadiume, të cilat janë ndërtuar në bazë të standardeve të FIFA-s.

“Qëllimi ynë është simbolik”, tha Guiherme Boulos, kryetar i Lëvizjes së Personave të Pastrehë.

“Ne nuk duam t\’i shkatërrojmë apo t\’i dëmtojmë stadiumet. Ajo çfarë duam është më shumë të drejta për punëtorët, që edhe ata të mund të gjejnë strehim dhe në këtë mënyrë të tregojmë se çfarë efekte të mira solli ky kampionat për të varfrit këtu”.

Shteti i Brazilit në muajt e fundit është përballur me protesta të shumë shtresave shoqërore që  kanë kërkuar kushte më të mira për ta.

Vala e protestave ka bërë që presidentja e vendit, Dilma Rousseff të propozojë që të hedhë në referendum reformat politike. Ajo po ashtu ka thënë se do të investojë rreth 25 miliardë dollarë në transportin publik, gjë që ka qenë njëra prej kërkesave kryesore të protestuesve.