Brand: Krimi pasojë e mosveprimit të Qeverisë Thaçi

Michaek Brand thotë se mungesa e sukseseve të EULEX-it dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Kosovë është pasojë e refuzimit të Qeverisë së Kosovës të prirë nga Hashim Thaçi për të vepruar kundër kriminalitetit.

Lajme

24/05/2014 09:40

Deputeti në Bundestagun e Gjermanisë nga radhët e CDU-së (Partisë së Kancelarës Angela Merkel), Michaek Brand, ka thënë se ka thënë se ata që në Kosovë e mbështesin korrupsionin dhe krimin dyert drejt Evropës mbesin të mbyllura.

Ai ka përmendur dokumentet e NATO-s të botuara nga “Koha Ditore” që akuzojnë rëndë Hashim Thaçin dhe rrethin e tij për veprime të paligjshme. “Ne duhet dhe do ta mbrojmë veten dhe të tjerët nga kanceri politik i korrupsionit dhe i kriminalitetit”, tha Brand, i cili javën e kaluar ka vizituar Kosovën bashkë me ministren e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Të enjten në Parlamentin gjerman (Bundestag) deputetët kanë diskutuar mbi vazhdimin e mandatit të trupave gjermane në Kosovë edhe për një vit. Me përjashtim të partisë “Die Linke” (E Majta), e cila trupat e KFOR-it i quan “armatë pushtuese” dhe kërkon tërheqjen e tyre nga Kosova, shumica e grupeve parlamentare në Bundestag mbështetën stacionimin e mëtutjeshëm të ushtarëve gjermanë në Kosovë.

Brand ka thënë se mungesa e sukseseve të EULEX-it dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Kosovë është pasojë e refuzimit të dukshëm të Qeverisë së Kosovës të prirë nga Hashim Thaçi për të vepruar kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Ky problem, sipas Brand, i ka përfshirë dhe ka depërtuar në strukturat shtetërore. Popullsia e thjeshtë në qytete dhe fshatra vuan nga ky zhvillim. Brand ka kritikuar drejtpërdrejt kryeministrin Thaçi për gjendjen e keqe në Kosovë.

“Kur të enjten e kaluar ishim në Prishtinë së bashku me Ministren e Mbrojtjes Ursula von der Leyen, në ballinën e gazetës mbase të vetme të pavarur në Kosovë “Koha Ditore”, shihej një grafik nga burimet e NATO-së me titullin: Mafia në politikën e Kosovës. Ky grafik – e theksoj – nga burimet e NATO-s, tregonte anëtarët e Qeverisë, përfshirë edhe vetë kryeministrin në detyrë”.