BQK-ja miraton letrën këshilluese për kreditë e sindikuara

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e ka miratuar Letrën Këshilluese për Kreditë e Sindikuara, që mundëson zgjerimin financimit të sektorit bankar ndaj huamarrësve vendorë për projekte të mëdha strategjike dhe afatgjatë, përfshirë projektet në energji të pastër dhe investime tjera që janë intensive në kuptim të kapitalit. Sipas BQK-së, korniza rregullative lehtëson aranzhimet…

Lajme

23/01/2025 10:54

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e ka miratuar Letrën Këshilluese për Kreditë e Sindikuara, që mundëson zgjerimin financimit të sektorit bankar ndaj huamarrësve vendorë për projekte të mëdha strategjike dhe afatgjatë, përfshirë projektet në energji të pastër dhe investime tjera që janë intensive në kuptim të kapitalit.

Sipas BQK-së, korniza rregullative lehtëson aranzhimet e nevojshme dhe krijon mundësi shtesë të kreditimit të ekonomisë, duke diversifikuar rrezikun kreditor me kontribut në stabilitetit financiar, krahas stimulimit të investimeve në sektorë të caktuar të vendit.

“Letra Këshilluese e cila paraqet pritjet mbikëqyrëse ka për qëllim krijim e kornizës rregullatore, zgjeron kapacitetet kredidhënëse të sektorit financiar që mbështet zhvillimin e ekonomisë, duke reduktuar rrezikun e koncentrimit, nxitjen e investimeve me pjesëmarrje më të gjerë duke nxitur potencialisht zhvendosje nga sektorët tradicional, njëkohësisht duke e rritur efikasitetin e procesit të financimit të projekteve të mëdha, në respekt të plotë të konkurrencës. Krahas zhvillimit të tregut, bankat duhet të zhvillojnë politikat dhe procedurat e brendshme që lidhen me kreditë e sindikuara duke marrë parasysh Ligjin për Konkurrencën, në mënyrë që të sigurohet konkurrencë e drejtë në pajtim me praktika më të mira ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Tutje BQK ka njoftuar se udhëzuesi është hartuar duke marrë për bazë praktikat dhe legjislacionin  më të avancuar ndërkombëtar në përputhje me objektivat e përcaktuara në Planin Strategjik të BQK-së, me mbështetje nga USAID përmes aktivitetit “Promovimi i Investimeve dhe Qasjes në Financa në Kosovë”, si dhe me konsultime të gjera me sektorin financiar të realizuara nga BQK-ja dhe ekspertëve të USAID-it, duke përfshirë disa punëtori në funksion të ngritjes së kapaciteteve.

Po ashtu në fund BQK-ja ka falënderuar SHBA-të, që përmes USAID ka mbështetur hartimin e Letrës Këshilluese si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së dhe sektorit në funksion të rritjes së qasjes në financa dhe zhvillimit të tregut financiar. /Lajmi.net/