Botërori, më i madh se Liga e Kampionëve

Mario Balotelli thotë se Kampionati botëror vlen më shumë se Liga e Kampionëve ose Topi i Artë. Ai insiston se nuk dëshiron të jetë yll i garës, por që t’i ndihmojë Italisë të fitojë titullin.

Sport

19/06/2014 23:10

Sulmuesi i Italisë, Mario Balotelli ka shprehur vendosmërinë të udhëheq skuadrën e tij drejt triumfit në Kampionatit botëror dhe beson se titulli do të kishte rëndësi më të madhe se Liga e Kampionëve ose Topi i Artë.

Azzurrët do të ndeshen me Kosta Rikën të premten në ndeshjen e dytë të Grupit D, pas fitores 2:1 në ballafaqimin e parë ndaj Anglisë.

Me fitore në Recife, Italia do të sigurojë kualifikimin dhe Balotelli e ka caktuar objektivin.

“Jam duke shijuar këtë garë me një këndvështrim të duhur. Nuk ndjej presion, asgjë të atij lloji”, deklaroi Balotelli para medieve.

“Dua të shkoj sa më larg që mundem në këtë Kampionat botëror dhe të shënoj sa më tepër gola që mundem. Por, gjëja më e rëndësishme për mua është që ekipi të fitojë. Për mua, Kampionati botëror është më i rëndësishëm se Liga e Kampionëve ose Topi i Artë. Shpresoj të mos jetë Botërori i Marios, por Botërori i Italisë. Nuk dua të jem yll, dua që ekipi të fitojë”, u shpreh ai.