Bota mobilizohet për t’u ardhur në ndihmë viktimave të tërmetit në Nepal

Një ndihmë ndërkombëtare për viktimat e tërmetit të fuqishëm që goditi sot Nepalin, po organizohet menjëherë, edhe pse shumë agjenci humanitare e kanë të vështirë për të vlerësuar nevojat në vend.

Bota

25/04/2015 21:04

“Po përpiqemi të vlerësojmë përmasat e katastrofës”, theksoi një zyrtar i OJQ-së Mjekët e Botës, që ka dërguar një ekip në Nepal, por që do të përballet me vështirësi për t’u futur në zonat e prekura, ndërkohë që pjesa më e madhe e telekomunikacioneve janë ndërprerë në rajon.

Ky tërmet me magnitudë 7,8 ballë të shkallës Rihter, më i përgjakshmi që prej vitit 1934 në Nepal, ka ngjallur menjëherë reagim ndërkombëtar.

SHBA-ja njoftoi dërgimin e një ekipi shpëtimi dhe zhbllokimin e një milionë dollarëve për t’iu ardhur në ndihmë viktimave, njoftoi agjencia amerikane e ndihmës USAID.

Norvegjia premtoi 3,5 milionë euro ndihmë humanitare duke theksuar se vendi do të kontribuonte më shumë”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Borge Brende.

Presidenti rus, Vladimir Putin i shprehu dhimbjen e tij presidentit të Nepalit, Ram Baran Yadav ashtu dhe presidentit kinez, Xi Jinping, i cili theksoi se dëshironte të ofronte ndihmën e tij.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier u shpreh i tronditur duke shtuar se Gjermania ishte e gatshme të bënte gjithçka që është në pushtetin e saj për të dhënë ndihmën e saj në këto momente të rënda.

Presidenti francez, François Hollande deklaroi sot se Franca ishte e gatshme t’i përgjigjej kërkesave për ndihmë dhe asistencë që Nepali mund t’i dërgojë pas tërmetit të fuqishëm që ka shkaktuar disa qindra të vdekur në vend.