Bota islame e dënoi ashpër sulmin ndaj xhamive në Zelandën e Re

Liderët politikë dhe fetarë nga vendet islamike e dënojnë sulmin e sotëm në dy xhamitë në Zelandë të Re, ku humbën jetën 49 persona, ndërsa më shumë se 20 janë lënduar rëndë.

Bota

15/03/2019 12:01

Maskara, e cila u krye gjatë lutjes së të premtes është sulmi më vdekjeprurës në historinë e Zelandës së Re.

Autoritetet e Turqisë në reagimin e sulmit kërkuan ndërprerje urgjente të “terrorizmit fashist ndaj islamit”.

“Sulmi në dy xhamitë në Zelandën e Re tregon se deri në cilën shkallë ka arritur islamofobia dhe urrejtja kundrejt myslimanëve”, shkruan në Tuiter zëdhënësi i presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, Ibrahim Kalan.

Ai theksoi se e dënon ashpër “sulmin fashist terrorist”.

“Indonezia e dënon ashpër këtë akt të vrasjes, veçanërisht në vendin ku mbahet falja e së premtes”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Indonezisë , Retno Marsudi.

Paraprakisht u publikua se në xhami ka pasur gjashtë indonezianë në momentin e sulmit, prej të cilëve tre janë larguar, ndërsa fati i tre të tjerëve nuk dihet.

Lideri i koalicionit qeveritar në Malejzi, Anvar Ibrahim e dënoi sulmin si “tragjedi të zezë e cila i kanoset njerëzimit dhe paqes botërore”.

Sulmin e dënoi ashpër edhe lideri i partisë më të madhe myslimane indiane Kamal Farugui.

“Virusi antimysliman po përhapet kudo në botë. Njerëzit e të gjitha besimeve duhet të shqetësohen për këtë”, deklaroi Farugui.

Ambasadori afgan në Zelandën e Re dhe Fixhi, Vahidullah Vasi në Tuiter shkroi se gjatë sulmit janë lënduar tre afganë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit Mohamed Faisal e dënoi sulmin në rrjetet sociale, “Pakistani kundër terrorit”.