Bosnja përshëndetet me fitore

Bosnja e Hercegovina u përshëndet nga Kampionati botëror në Brazil duke mposhtur Iranin me rezultat 3:1, në ballafaqimin e tyre të fundit në kuadër të Grupit F.

Sport

25/06/2014 20:57

Bosnja e Hercegovina mposhti Iranin me rezultat 3:1 në ndeshjen e tyre të fundit në kuadër të Grupit F në Kampionatin botëror.

Skuadra e trajnerit Safet Susic ishte e eliminuar edhe para këtij ballafaqimi, por zhvilloi lojën më të mirë të garës dhe shënoi fitore të merituar – e para e tyre në histori të një Botërori – duke u rikthyer në shtëpi me tri pikë.

Edin Dzeko realizoi golin e parë në minutën e 23-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.

Në të dytën, pas një ore lojë, Miralem Pjanic e dyfishoi avantazhin e boshnjakëve. Irani u rikthye në lojë me golin e Reza Ghoochannejhad, në minutën e 82-të.

Mirëpo, Avdija Vrsajevic e konfirmoi fitoren e boshnjakëve duke shënuar në sulmin pasues.