Boshnjakët etnikisht të ndarë për dënimin e Karaxhiqit

Vendimi përfundimtar në gjyqin e Radovan Karaxhiçit u mirëprit nga politikanët boshnjakë dhe kroatë dhe grupet e viktimave të luftës në Bosnjën dhe Hercegovinën e ndarë etnikisht, por u dënua si i njëanshëm nga politikanët serbë të Bosnjës.

Lajme

20/03/2019 22:54

Konfirmimi i gjykatës së OKB-së të mërkurën i vendimit që dënon Radovan Karaxhiçin për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit përsëri theksoi vazhdimin e ndasive etnike të pasluftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Duke i bërë jehonë gëzimit të përfaqësuesve të viktimave të luftës që ishin në Hagë për vendimin, politikanët boshnjakë e mirëpritën vendimin që e rriti dënimin e Karaxhiçit në burgim të përjetshëm.

“Një kriminel i kohës së luftës ka marrë një dënim të merituar dhe sot viktimat e krimeve të tij si dhe e gjithë bota e civilizuar mund të jenë të kënaqur me dënimin me burgim të përjetshëm,” tha Sefik Dzaferoviç, anëtar boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Nermin Niksiç, kryetar i Partisë Social Demokrate të Bosnjës dhe Hercegovinës, gjithashtu e mirëpriti vendimin.

“Vendimi përfundimtar për Radovan Karaxhiçin është një event për Bosnjën dhe të gjithë shtetasit e saj, veçanërisht për familjet e viktimave të agresionit, gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës të kryera në Bosnje,” tha Niksiç për faqen e lajmeve Klix.ba në Sarajevë.

Ndërkohë, Zeljko Komsiç, anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës, tha se vendimi i Karaxhiç ishte niveli minimal i drejtësisë që nevojitet për krimet e tij.

“Ky vendim mbetet si një dëshmi e përhershme me shkrim dhe një mësim për gjeneratat që do të vijnë, që asnjë krim të mos mbetet i pandëshkuar,” tha Komsiç në një njoftim për shtyp.

Por vendimi u dënua nga politikanët serbë të Bosnjës, të cilët e shohin gjykatën e Hagës si anti-serbe.

Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, e kritikoi vendimin si të njëanshëm dhe tha se gjykata e OKB-së kishte një “qasje selektive” ndaj drejtësisë.

Zëdhënësi i parlamentit në Republikën Srpska me shumicë serbe, Nedeljko Cubriloviç, tha se vendimi konfirmoi bindjen e njerëzve në Republikën Srpska se Gjykata e Hagës është “e njëanshëm, selektive dhe u themelua me qëllim shpalljen e serbëve dhe liderëve të tyre autorë të vetëm të luftës civile në Bosnje”, raportoi agjencia e lajmeve Beta.

Momcilo Krajisnik, një ish-zyrtar serb i Bosnjës, i cili gjithashtu u dënua për krime kundër njerëzimit nga gjykata e Hagës, këmbënguli që Karaxhiçi “kurrë nuk i përkrahu krimet, nuk i mbështeti kurrë ato dhe nuk i kreu kurrë”.

“Ata thonë se drejtësia ekziston dhe është e arritshme, por gjithçka tregon se kur vjen fjala për Gjykatën e Hagës, të paktën në jetën tonë të shkurtër, kjo nuk do të thotë asgjë,” tha Krajisnik, i cili themeloi Partinë Demokrate Serbe me Karaxhiçin para luftës në Bosnjë, për Sputnik.

Por në një sinjal për politikanët në Ballkan që vazhdojnë të mohojnë gjenocidin e Srebrenicës dhe të mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, pavarësisht qëllimit të deklaruar të vendeve të tyre për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, zëdhënësja e punëve të jashtme të BE-së Maja Kocijanciç u kërkoi të gjithë liderëve politikë të pranojnë vendimin përfundimtar të gjykimit.

“BE pret që të gjithë krerët në rajon të mbështesin vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që hedh dyshime mbi pavarësinë ose paanësinë e procesit të gjykimit. Mohimi ose revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore europiane,” tha Kocijancic në një komunikatë për shtyp.

“Drejtësia mbizotëron mbi të keqen”, thotë prokuroria

Zyra e prokurorit të Hagës tha se vendimi i së mërkurës dha një deklaratë të rëndësishme kundër mosndëshkimit të krimeve të kohës së luftës.

“Kjo gjykatë e Kombeve të Bashkuara e ka dënuar atë për krimet e tij dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm, duke dërguar një mesazh të rëndësishëm se drejtësia mund të mbizotërojë mbi të keqen. Sot viktimat e krimeve të tij më në fund e panë atë të përgjigjej për atë që ai bëri,” tha prokuroria.

Kryeprokurori Serge Brammertz tha gjithashtu se vendimi nuk ishte një vendim kundër popullit serb.

“Faji i Karaxhiçit është i tij, jo i popullit të tij,” tha Brammertz.

Por këshilltari ligjor i Karaxhiçit, Peter Robinson, e përshkroi vendimin si të motivuar politikisht.

“Sot këtu triumfoi politika mbi drejtësinë,” tha Robinson, duke pretenduar se dhoma e apelit “kreu një gjyq të padrejtë dhe dha një vendim të padrejtë”.

Kriminelët e luftës mbështesin Karaxhiçin

Kreu i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli, i cili u dënua gjithashtu për krime lufte nga gjykata e Hagës, e përshkroi dënimin me burgim të përjetshëm si skandaloz.

“Vendimi bazohet në dëshmi të rreme dhe fakte të imponuara. Është e qartë se vendimi u dha nga njerëz të paaftë, njerëz që nuk kanë cilësi morale,” tha Shesheli për agjencinë shtetërore të lajmeve Tass.

Veselin Sljivancanin, një ish-kolonel i Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe i dënuar për krime lufte, këmbënguli që Gjykata e Hagës vazhdon të mbështesë vetëm boshnjakët në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Unë nuk jam avokat, as ekspert, por besoj se Karaxhiçi dhe familja e tij janë njerëz të guximshëm,” tha Sljivancanin për gazetën serbe Politika.