Borussia Dortmund turpëron Bayernin

Borussia Dortmund i dha leksion Bayern Munichut. Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp e pushtoi shtëpinë e ekipit të Pep Guardiolës duke i mposhtur me rezultat të thellë 3:0. Kjo është disfata e dytë rresht e bavarezëve në Bundesligë.

Sport

12/04/2014 19:22

Borussia Dortmund e koriti Bayern Munichun. Kampioni në fuqi i Bundesligës humbi në Allianz Arena nga Dortmund me rezultat të thellë 3:0.

Në një ballafaqim ku skuadra e trajnerit Pep Guardiola u duk e lodhur dhe pa ide, larg nga forma e saj e zakonshme, kundërshtari ua dha ndëshkimin e merituar. Dortmund kaloi në epërsi pas 20 minutash lojë me golin e Henrikh Mkhitaryan, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Kurse, katër minuta pas intervalit, Marco Reus e dyfishoi avantazhin e mysafirëve. Ndërsa, para se të kompletohej një orë lojë, Jonas Hofmann e realizoi golin e tretë të Dortmund, që e vulosi kapitullimin e Bayernit. Krejt në fund, Rafinha u përjashtua me karton të kuq.

Kjo është disfata e dytë e njëpasnjëshme e gjigantit bavarez, që është shpallur kampion, por pa dyshim se nuk do të pritet lehtë nga Guardiola dhe futbollistët e tij.

Kurse, Dortmund e ruajti pozitën e dytë nga Schalke.