Borell sot pret në darkë jo-formale liderët e Ballkanit Perëndimor, nga Kosova do të marrë pjesë Gërvalla

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, do të takohet sot në darkën e përvitshme me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku pjesëmarrëse nga Kosova do të jetë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Lajme

11/05/2022 08:00

Pjesëmarrjen e kryediplomates kosovare në këtë takim e kanë konfirmuar nga Zyra për Informim e MPJD-së për lajmi.net.

“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të jetë e pranishme në darkën joformale nesër në Bruksel”, thanë për mediumin.

Mediumi ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, i cili ka konfirmuar lajmin se darka joformale do të shtrohet në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, ka vazhduar me traditën e ftesës së liderëve nga Ballkani Perëndimor për një darkë joformale dy herë në vit, ku do të diskutohet për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet. Kjo përfshin edhe diskutimin për situatën në rajon, marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, pritshmëritë për anëtarësim në BE dhe kontekstin më të gjerë gjeopolitik. Zakonisht pjesëmarrja është në nivelin e liderëve (Presidentëve) apo Kryeministrave. Darka e mëparshme joformale u zhvillua në shtator të vitit 2021 në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa e para nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte vitin e kaluar më 18 maj (2021). Darka tjetër joformale do të mbahet në Bruksel gjatë ditës së nesërme, e mërkurë, në mbrëmje”, ka thënë Stano.

Pjesëmarrës në këtë takim do të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. /Lajmi.net/