Borchardt: Dëshmitarët në Gjykatën Speciale nuk jetojnë në Kosovë
Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt thotë se në mandatin e ri, ky mision nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Shprehë shqetësim për mbrojtjen e dëshmitarëve në rastet e ndjeshme. Sipas tij, shumica dëshmitarëve në rastet që mund të hapën në Gjykatën Speciale, nuk jetojnë në Kosovë.
Lajme
Misioni i Bashkimit Europian për sundim të ligjit, EULEX, do të merr një mandat ndryshe. Shefi i këtij misioni, Bernd Borchardt në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën serbe, thotë se institucionet e Kosovës, tash e tutje do të marrin përgjegjësinë për ndarjen e drejtësisë në vend, transmeton lajmi.net.
Ai thotë se në mandatin e ri, EULEX nuk do të ketë kompetenca ekzekutive në gjyqësor, por mund t’i ofrojë ndihmë, nëse ajo kërkohet nga vendorët.
Ndër problemet kryesore, sipas Borchardt, në proceset gjyqësore të ndjeshme, paraqitet mbrojtja e dëshmitarëve.
DW: Çfarë do të ndryshojë me mandatin e ri të EULEX-it, pas 14 qershorit?
Borchardt: Mandati ynë ndryshon fokusin: Rastet që i kanë nisur prokurorët tanë, do t’i përfundojmë ne, mirëpo nuk do të nisim raste të reja. Normalisht, mund të ndodhë që Prishtina të na lus që të marrim ndonjë rast, dhe gjithashtu kjo mund të ndodhë. Por, vendimet i marrin institucionet e Kosovës. E dyta, institucionet e rëndësishme gjyqësore në të ardhmen do t’i udhëheqin kosovarët, dhe jo më EULEX. Për shembull, prokurori publik për çështje penale dhe mjekësinë ligjore. Ndryshimi i tretë i rëndësishëm është se gjykatësit e EULEX-it, kanë qenë shumicë në gjykatat e Kosovës. Edhe kjo do të ndryshohet dhe ata do të jenë më të pakët në numër.
DW: Kush do ta udhëheqë Gjykatën Special për krime lufte në Kosovës?
Borchardt: Ne merremi me organizimin e gjykatave, por të gjithë gjykatësit do të punojnë në mënyrë të pavarur – ashtu sikurse edhe në Gjykatën Sepciale e cila do t’i trajtojë rastet e të ashtuquajturit raportit të Marty-t. Dick Marty nga Këshilli i Europës ka hartuar një raport mbi abuzimet nga koha e luftës në Kosovës. Gjykata Speciale do të funksionojë në përputhje me ligjet e Kosovës, sa herë që kjo të jetë e mundur. Përfundimisht, nuk mund të gjykoni dikë në bazë të ligjeve që janë formuar pas rastit të krimit. Edhe kjo gjykatë nuk e ka selinë vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj, për të lehtësuar deklaratat e dëshmitarëve.
DW: A keni probleme me mbrojtjen e dëshmitarëve?
Borchardt: Mbrojtja e dëshmitarëve këtu paraqet një problem të madh. Programi klasik për mbrojtjen e dëshmitarëve në shtete të mëdha, konsiston në atë që dëshmitarët sipas nevojës fitojnë një identitet të ri, dhe më pas shkojnë të jetojnë në një pjesë tjetër të vendit. Në shtete të vogla, siç është Kosova, kjo gjë nuk funksionon, dhe sipas përvojës tonë, shumë pak njerëz janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Kjo do të thotë se dëshmitarët duhet mbrohen në një formë tjetër. Mirëpo gatishmëria e tyre për të shkuar jashtë vendit, që të ndahen përfundimisht nga familja, dhe të fillojnë një jetë të re, është shumë e vogël.
DW: A keni në plan që ta zgjidhni këtë problem te dëshmitarët e rasteve të raportit të Dick Marty-t?
Borchardt: Në këtë rast, shumica e dëshmitarëve nuk janë nga Kosova, por jashtë vendit.
DW: Kur pritet të bëhet gjykimi i parë në këtë Gjykatë Speciale?
Borchardt: Për tu ngritur një gjykim, nevojitet një gjykatë dhe për këtë, së pari duhet të themelohet kjo gjykatë. Për këtë nevojiten të ndërmerren hapat e parë ligjor në Kosovë, dhe gjithashtu është e nevojshme një marrëveshje në mes të shtetit nikoqir, i cili pjesërisht do të pranojë këtë gjykatë. Për këtë arsye, është shumë vështirë të thuhet se kur do të formohet kjo gjykatë.