Bolt: Mund t’i thyej rekordet e mia

Usain Bolt është i bindur se mund t’i thyejë rekordet e tij botërore. Sprinteti xhamajkan, momentalisht është i lënduar, por beson se pasi të kthehet, do të regjistrojë rekorde të reja në atletikë.

Sport

20/04/2014 10:43

Usain Bolt momentalisht gjendet në Kingston të Xhamajkas, pas tërheqjes muskulore, e cila e ka detyruar të pushojë deri në muajin qershor të këtij viti.

Megjithatë, sprinteri xhamajkan po mendon qysh tash për të ardhmen. Ai beson se do t’i thyejë rekordet botërore, që i kishte regjistruar në të kaluarën.

“Kam biseduar shumë me trajnerin tim (Glen Mills) rreth mundësisë së thyerjes së rekordeve të mia dhe mendojmë se kjo mund të arrihet. Unë kam besim të madh në Mills, ashtu siç beson ai se mund t’i mposht këto rekorde. Edhe unë besoj”, deklaroi njeriu më i shpejtë në botë për Jamaica Gleaner.

Rekordi i Bolt në 100 metra është 9.58 sekonda, të cilin rekord e kishte regjistruar më 16 gusht të vitit 2009 në finale të botërorit të Berlinit.

Ndërsa, sa u përket 200 metrave, ai e mban rekordin prej 19.19 sekonda, të cilin e kishte shënuar më 20 gusht të të njëjtit kompeticion.

Bolt po ashtu ka marrë pjesë edhe në rekordin botëror në 4×100 metra (36.84 sekonda, më 11 gusht 2012, në finale të Olimpiadës së Londrës, së bashku me Nesta Carter, Michael Frater e Yohan Blake.

Objektivat e radhës të Bolt janë, Botërori i Pekinit 2015, Olimpiada e Rios 2016 dhe Botërori i Londrës 2017.