Boko Haram rrëmbeu edhe tetë vajza në Nigeri

Policia e Nigerisë ka njoftuar se persona të armatosur, që dyshohet se i takojnë grupit Boko Haram, në orët e para të ditës së martë kanë rrëmbyer edhe tetë vajza në Nigerinë veriore.

Bota

06/05/2014 19:27

Ky rrëmbim më i ri vjen tri javë pasi që grupi militant islamik ka rrëmbyer më shumë se 200 vajza nga konvikti i një shkolle të mesme në qytetin Chibok të Nigerisë, transmeton REL.

Banorët e fshatit Waraba, ku kanë ndodhur rrëmbimi i sotëm, kanë treguar se militantët kishin qenë me dy automjete dhe se kanë hapur zjarr gjatë bastisjes.

Në një video të publikuar një ditë më parë, lideri i grupit militant Boko Haram, Abubakar Shekau ka njoftuar se do ti shesë vajzat e rrëmbyera.

Rrëmbimet në Nigeri kanë bërë që të ketë reagime në nivel global.

Instituti prestigjioz islamik në Egjipt Al-Azhar, përmes një deklarate të lëshuar sot, ka kërkuar nga Boko Haram që menjëherë t’i lirojë vajzat.

Rrëmbimi i vajzave, sipas këtij instituti, është në kundërshtim me mësimet islame.