“Bojkoti”, shumë markete mbetën bosh në Maqedoni të Veriut
Me 20 euro që merr në ditë, ky punëtor ndërtimi është një ndër qytetarët që sot vendosi të bojkotojë marketet shkaku i çmimeve të larta të produkteve. Sipas tij, me 20 euro në ditë që merr nga puna e rëndë e ndërtimit, nuk mund të mbuloj as shpenzimet ditore të tij e të familjes së…
Lajme
Me 20 euro që merr në ditë, ky punëtor ndërtimi është një ndër qytetarët që sot vendosi të bojkotojë marketet shkaku i çmimeve të larta të produkteve. Sipas tij, me 20 euro në ditë që merr nga puna e rëndë e ndërtimit, nuk mund të mbuloj as shpenzimet ditore të tij e të familjes së tij shkaku i çmimeve të larta.
”Ne rrogën mesatare e marrim 20 euro në ditë. Por me 20 euro çfarë të bej. Jam nga Tetova, ku është nafta e ku janë harxhimet tjera. Vetëm duhet të punojmë e nuk mbetet asgjë, shumë e vështirë. Do të thotë sot bojkotoni edhe ju? Po edhe ne jemi në bojkot, ditë ramazani sot”, deklaroi një qytetar.
Dyert e marketeve sot ishin më shumë të mbyllura se sa të hapura, ndërsa pauzat e punonjësve të marketeve ishin më të shpeshta se ditëve të tjera.
“Ashtu siç ishte paralajmëruar disa ditë më herët bojkotimi i marketeve kjo edhe ndodhi sot. Të rrallë janë qytetarët të cilët frekuentojnë marketet sot ndërsa ata që anketuam më herët thonë se mjafton që sot të dërgohet porosi deri tek sipërmarrësit që të ulin çmimet sepse sipas tyre këto çmime nuk mund të përballohen”, raporton Avni Tahiri – Gazetar.
“A bojkotoni sot? Po. Patjetër. Kjo është arsyeja që dola më vonë. Do të shkoj deri në mjek dhe aq. A do të dërgohet porosi me bojkotin e sotëm? Nëse jemi të gjithë të bashkuar ndoshta do të ketë diçka përndryshe nuk e di”, tha një qytetare.
“A bojkotoni sot? Po, bojkotoj sepse kjo më është e pa durueshme. Çmimet janë shumë të larta ndërsa pensionet e ulëta e mos të flasim për pagat. Të rinjtë ikën nga këtu, le të vendoset rregull dhe le të ketë jetë këtu dhe ky shtet le të jetë shtet siç duhet. A do të dërgohet porosi me bojkotin e sotëm? Po mendoj se varet se sa do të jemi këmbëngulës që ta mbajmë bojkotin”, u shpreh një tjetër qytetare.
Përderisa disa qytetarë i bojkotonin tërësisht marketet, disa të tjerë thanë se edhe pse përkrahin bojkotin përsëri janë detyruar të blejnë vetëm gjërat elementare.
“A bojkotoni sot? Po pjesërisht sepse vetëm atë që e kam të shumë të nevojshme patjetër ta blej”, theksoi një qytetare.
“A bojkotoni sot? Sipas qeses duket se jo. Kam blerë vetëm dy lakra, marulla. Domethënë sot to të jetë agjërueshëm? Po”, u përgjigj një qytetar.