Bogujevci i kundërpërgjigjet Aleksandër Vuçiqit: Nuk kam qenë boksier i Serbisë

Ish-boksieri Mehmet Bogujevci, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se ai kishte qenë më shumë boksier i Serbisë sesa i Kosovës.

Sport

24/05/2019 20:01

Bogujevci me këtë rast nëpërmjet telefonit i ka thënë Klan Kosovës se asnjëherë nuk ka boksuar për Serbinë.

“Unë kurrë nuk kam boksuar për Serbinë. Unë kam boksuar për reprezantacionin e ish-Jugosllavisë, kam qenë kapiten ku jam shpallë edhe nënkampion i botës “ ka thënë Bogujevci.

Ai shtoi se karrierën e ka filluar në Suboticë por kurrë nuk ka boksuar për ndonjë klub serb.

“Unë kam qenë bursist i Hekurudhave të Kosovës, dhe kam shkuar në shkollim në Suboticë. Aty kam filluar të merrem me boks, por kur jam kthyer jam punësuar në Fushë Kosovë dhe kam filluar të boksoj për Prishtinën”.

Ish-boksieri nga Kosova tutje tha se ka marrë edhe pension për sportistë të merituar, por e ka refuzuar disa vjet më pas, pasi i kishte thënë autoriteteve atje se do ta marrë pensionin e Kosovës.

Mehmet Bogujevci, në fund deklaroj se sportistët nuk duhet të përfshihen në politikë, sepse sporti dhe politika duhet të jenë larg.