Blomeyer: Nuk përzihemi për koalicionet

Ambasadori gjerman, Peter Blomeyer ka hedhur poshtë mundësinë e përzierjes në situatën aktuale politike në vend. Ai ka thënë që thashethemet se ai mund të ndërhyjë në formimin e koalicioneve të mundshme nuk qëndrojnë.

Lajme

09/07/2014 00:40

Në një intervistë dhënë për RTK, Ambasadori Blomeyer tha se gjatë këtyre dy viteve, sa ka qenë në Kosovë, është përmbajtur që të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendit tonë.

“Mendoj që një ndërhyrje e tillë nuk është normale, sepse ne kemi objektiv që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur, prandaj unë mendoj që ne nuk do të duhej të ndërhynim as në interpretimin e Kushtetutës, sepse Kosova e ka gjykatën e vet kushtetuese, pastaj ne nuk do të duhej të ndërhynim as në vendimet e kryetarëve se kush do të duhej të nominohej për kryeministër, sepse ju e keni presidenten e juaj, e cila është përgjegjëse për këtë, e ne nuk do të duhej të ndërhynim as në koalicionet e partive politike, sepse edhe ajo është çështje e tyre”.

Ai tha se ka thashetheme të tilla por se ato nuk qëndrojnë. Madje, Blomeyer thotë se është edhe kundër bindjes së tij që të përfshihet në diçka të tillë.

Blomeyer teksa është  pyetur për integrimin e Kosovës në BE, tha se së pari duhet të dihet se perspektiva e Kosovës për integrim në BE është pranuar nga secili, duke përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Çfarë është e nevojshme për të arritur atje, shembull dialogu me Serbinë është kusht dhe ju duhet të vazhdoni me dialogun, gjithashtu edhe të luftoni korrupsionin, ky është një tjetër kusht i domosdoshëm që duhet të përmbushet nëse dëshironi të arrini në BE, këto duhet t’i dijë edhe populli i Kosovës dhe te mos i merr si ndërhyrje”, ka thënë Blomeyer për RTK-në.