Blomeyer mohon marrëveshjen për zgjedhje

Ambasadori gjerman Peter Blomeyerka sqaruar sot se në takim nuk është arritur asnjë marrëveshje ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinajt, e cila do ta çonte Kosovën në zgjedhje parlamentare pa u kryer reforma zgjedhore.

Lajme

15/01/2014 19:02

Takim ka pasur, por marrëveshje jo.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka përgënjeshtruar raportimet për një marrëveshje ndërmjet tre liderëve politikë të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në qershor.

Ambasadori Peter Blomeyer, i cili ka qenë mikpritës i takimit të djeshëm të Kryetarit të PDK’së. Hashim Thaçi dhe kolegëve të tij nga LDK, Isa Mustafa dhe atij të AAK’së, Ramush Haradinaj, ka sqaruar sot se në takim nuk është arritur asnjë marrëveshje e cila do ta çonte Kosovën në zgjedhje parlamentare pa u kryer reforma zgjedhore.

“Ambasadori gjerman, Dr. Peter Blomeyer, më 14 janar 2014 ka ofruar ambient për mbajtjen e një takimi në mes të udhëheqësve të partive PDK, LDK dhe AAK – Kryeministrit Hashim Thaçi, si dhe zotit Dr. Isa Mustafa dhe z. Ramush Haradinaj. Objekt i këtij takimi ka qenë reforma zgjedhore. Një vendim për zgjedhje të reja të parakohshme, pa përfundimin e reformës zgjedhore nuk është marrë, pavarësisht raportimeve të ndryshme në medie”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.