Blomeyer: Kosova do të mund të akuzohej për pengim të drejtësisë
Amabasadori gjerman, Peter Blomeyer thotë se nëse Kosova refuzon të themelojë Tribunalin, mund të akuzohet për pengim të procedurës penale. Ai thotë se dëshmitarët nuk janë të gatshëm të dëshmojnë në Kosovë.
Lajme
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer mendon se para se të shpërbëhet Parlamenti, deputetët e Kosovës duhet të vendosin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it si dhe themelimin e Tribunalit për Kosovën.
Në një intervistë dhënë për Kosova Sot, Blomeyer thotë se BE-ja dhe Kosova janë duke negociuar për themelimin e Tribunalit, që rrjedh si pasojë e akuzave në raportin e Dick Marty-it.
“Parlamenti ka ende detyra të rëndësishme për t’i përmbushur të cilat nuk mund të shtyhen në periudhën e ardhshme legjislative. Këtu bënë pjesë në veçanti vazhdimi i mandatit të EUELX-it dhe themelimi i një gjykate për shqyrtimin e akuzave të ngritura në raportin e Dick Marty-it”.
“BE-ja dhe Kosova aktualisht janë duke negociuar për themelimin e Tribunalit, i cili do të shqyrtojë akuzat e Dick Marty-it”.
Ambasadori Gjerman thotë se gjykata e re për krimet e luftës duhet të themelohet jashtë vendit për shkak se dëshmitarët për rastet e tilla nuk janë të gatshëm të dëshmojnë në Kosovë.
Blomeyer thotë se nëse Kosova refuzon për themelimin e Tribunalit sipas kushteve që kërkohen për një procedurë të rregullt penale, atëherë ka gjasa që të akuzohet për pengim të procedurës penale.
“Kritikët në Kosovë pretendojnë se akuzat e ngritura në këtë raport mund të trajtohen edhe bnë sistemin aktual të drejtësisë dhe se nuk është e nevojshme një gjykatë e re për këtë”.
“Mirëpo, ky nuk është edhe perceptimi që mbizotëron jashtë vendit dhe as dëshmitarët në këto raste nuk duket se janë të gatshëm për të dëshmuar në Kosovë”.
“Nëse Kosova refuzon themelimin e gjykatës sipas kushteve, të cilat janë të nevojshme për realizimin e një procedure të rregullt penale, si[pas ekspertëve që janë marrë me këtë, atëherë ka mundësi që ajo të akuzohet për pengim të procedurës penale”.
Ambasadori Blomeyer thotë se krijimi i Tribunalit nuk e dëmton imazhin e Kosovës. Ai thotë se janë duke u përpjekur që kjo gjykatë të mos themelohet në kuadër të OKB-së, pasi kështu Kosova do të kthehej shumë mbrapa.
“Nuk është as e saktë që një gjykatë e tillë e dëmton imazhin e Kosovës. E kundërta është e saktë”.
“Nuk duhet harruar se alternativa për këtë gjykatë, e cila do të themelohej nga vetë Kuvendi i Kosovës, sipas ligjeve kosovare, do të ishte një gjykatë që do të themelohej për Kosovën në Kombet e Bashkuara. Kjo do të ishte një kthim i rëndë prapa për të gjitha përpjekjet tona për të nxjerrë Kosovën nga konteksti i Kombeve të Bashkuara dhe për të vënë atë në binarët e BE-së”, tha pë Kosova Sot, Peter Blomeyer.