Blloku: Vendimi i Kushtueses, si të shkruhej në PDK

Kur PDK-ja ta shfrytëzojë të drejtën e saj për ta kandiduar kryetarin e Kuvendit, pas të drejtës që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese, aty përfundon çdo e drejtë e PDK-së. Kështu vlerëson blloku LDK – AAK – Nisma, sipas së cilës kjo e drejtë e PDK-së do të përfundojë me dështim.

Lajme

26/08/2014 18:33

(E plotësuar) Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, atij dhe dy subjekteve të tjera u duket se është shkruar në PDK, aq më shumë kur, sipas tij, dihet mospajtimi i gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese, Robert Carolan.

Haradinaj thotë se nuk do të ketë zgjedhje të reja, ashtu siç edhe e ka thënë Gjykata Kushtetuese, por do të realizohet një formulë tjetër nga Parlamenti i Kosovës, edhe kjo po ashtu e drejtë e dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

I pyetur nëse PDK-ja nuk do të pranojë, edhe pas një dështimi eventual të tyre, që blloku të gjejë zgjidhje të mundshme apo formulë se si ta zgjedhin kryeparlamentarin, Haradinaj tha se pafundësia e PDK-së merr fund te pika ku Gjykata ia jep të drejtën e kandidimit e që blloku është këmbëngulës që mundësia e PDK-së do të dështojë.

Haradinaj nuk ka folur në detaje se si do ta bëjë Blloku formulën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kur është pyetur se si e vlerëson vendimin e Kushtetueses, ku në pikën 128 thuhet se “Në konstituimin e Kuvendit të gjithë deputetet duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë ‘për’, ‘kundër’ ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, ai ripërsëriti edhe njëherë se ky vendim është sikur të shkruhej në PDK dhe se, sipas tij, detyrimi nuk do t’i bëhet asnjërit prej deputetëve, raporton KosovaPress. 

_____________________________________________________________________________________

Blloku LAN diskuton për hapat e ardhshëm 

Liderët e Bllokut LDK – AAK – Nisma kanë hyrë në ndërtesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku do të zhvillojnë takimin e tyre të radhës.

Ky takim i bllokut vjen menjëherë pas publikimit të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Blloku thotë se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të publikuar sot, hapet rruga për krijimin e institucioneve nga ana e këtij blloku dhe partnerët e tjerë. /Kosovapress/