Blloku paralajmëron ditët e fundit të ngërçit institucional

Blloku LDK-AAK-Nisma, në koordinim me Vetëvendosjen, do të zhvillojnë takime intesive ditëve në vijim, për t’i dhënë zgjidhje daljes së vendit nga kriza politike, me synimin që java e ardhshme të jetë vendimtare për hapjen e rrugës së ndërtimit të institucioneve.

Lajme

29/10/2014 22:20

Duke folur për Politiko.net, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, thotë se koalicioni pas zgjedhor i formuar nga partitë opozitare po hyn në fazën finale.

“Blloku po hyn në fazën kur marrja e vendimeve është e pashmangshme”.

“Pas katër muajsh mungese të ndërtimit të institucioneve, vendi po hyn në një fazë finale. Blloku, në ditët në vijim, do t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje dhe do të krijojë institucionet e vendit”.

“Ne mendojmë që, në takimet intensive që do t’i kemi këto ditë, do t’i japim një zgjidhje vendit dhe do të shkojmë drejt ndërtimit të institucioneve”.

Detajet se si do të arrihet zgjidhja, Sherifi nuk ka dashur t’i bëjë publike.

“Se si do të japim një zgjidhje, do të kuptohet, në takimet intensive që do t’i kenë liderët e katër subjekteve. Shumë shpejt do t’i bëhet e qartë opinionit rruga se si do të ndërtohen institucionet e vendit”.

Zgjidhja e Kryeparlamentarit po pengon formimin e institucioneve të reja dhe vendi ka hyrë në muajin e pestë të ngërçit politik.

PDK, si fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, duke u thirrur në Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk po lëshon pe për këtë post, pavarësisht se nuk i ka numrat.

Në anën tjetër, Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve, por mungesa e hapësirës ligjore ua pamundëson ta jetësojnë njërën nga pikat kryesore të marrëveshjes së 10 qershorit-zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

(Politiko.net)