Blloku ende nuk e ka gati kërkesën për Kushtetuesen

Donika Kadaj-Bujupi bënë të ditur se Blloku ende nuk ka përgatitur kërkesën me të cilën do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarimin e mëtejshëm të pikës 127. Thotë se deputetët duhet të gjejnë zgjidhje për zgjedhjen e organeve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

14/10/2014 20:03

Blloku LDK-AAK-Nisma dhe VV ende nuk kanë vendosur nëse do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për të sqaruar pikën 127 të aktgjykimit të kësaj të fundit lidhur me zgjedhjen e organeve të Kuvendit.

Këtë gjë e ka konfirmuar për lajmi.net deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka thënë se blloku akoma është në fazën e finalizimit të hapave të cilat do të mund t’iu mundësojnë atyre zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

“Në fakt ne jemi në procedura të vazhdueshme për të finalizuar hapat e mëtutjeshme”.

“Nuk kemi mbërritur në këtë fazë, të paktën jo deri sot. Mirëpo, se si do të veprojmë, do t’u njoftojmë në ditët në vijim, me qëllim që e drejta jonë, shumica absolute parlamentare të vjen në shprehje sa më shpejt në mënyrë që të konstituojmë institucionet e vendit”.

Kadaj-Bujupi nuk pranon që të tregojë se çfarë opsione ka blloku për të tejkaluar krizën politike, por përsëriti se ata janë duke punuar në gjetjen e një mënyre sa më të shpejt për të dalë nga kjo gjendje, në të cilën është vendi tash e katër muaj.

“Janë disa opsione dhe disa variante dhe ne jemi në proces të gjetjes së mënyrës më të shpejtë për të realizuar të drejtën tonë për të realizuar si shumicë parlamentare për të zgjedhur organet e Kuvendit dhe më pas Qeverinë”, tha për lajmi.net Donika Kadaj-Bujupi.