Blloku do t’i kërkojë Haradinajt t’ia lë postin e kryeministrit Isa Mustafës

Partitë e Bllokut opozitar planifikojnë t’i japë ultimatum Ramush Haradinajt që ai të denominohet nga posti i kryeministrit në favor të Isa Mustafës, në të kundërtën do t’i ndajnë rrugët e tyre.

Lajme

14/10/2014 17:53

Lideri i LDK-së dhe ai i Nismës janë të pajtimit që ta ndryshojnë marrëveshjen e tyre politike për shkak të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por janë duke pritur që lideri i AAK-së të lëvizë nga pozicioni i tij dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes së ngërçit politik.

Indeksonline nga burime brenda bllokut opozitar ka mësuar se Haradinaj së shpejti mund të përballet me kushtëzimin e partnerëve të tij të koalicionit paszgjedhor dhe nëse nuk i dëgjon, tri partitë e opozitës do ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar dhe do të presin radhën për të formuar qeverinë pa AAK-në.

“LDK-ja, Vetëvendosje dhe Nisma kanë gjithsej 53 deputetë dhe nëse Ramushi nuk tërhiqet nga pretendimi i tij për kryeministër, ne do t’i marrim edhe minoritetet joserbe me vete dhe i bëjmë 61 vota. Gjithashtu do të negociojmë edhe me Listën Serbe për t’i bërë gjithsej 73 vota në Kuvend. Shteti nuk mund të mbahet peng nga ambiciet e pakontrolluara të asnjë politikani. U bënë katër muaj kështu dhe mjaft kemi pritur. Duhet të bëjmë zgjidhje, nëse nuk duam të shkojmë në zgjedhje”, tha ky burim.

Meqë nuk mund ta kemi kryetarin e Kuvendit dhe PDK-ja nuk e ka në plan të lëshojë rrugë, ne nuk kemi alternativë tjetër pos të veprojmë në këtë mënyrë, sqaroi ky burim. Sipas tij, Ramushi është duke tentuar ta tensionojë gjendjen politike dhe të ruajë disatancën e për këtë edhe po e sulmon Thaçin në publik me gjuhë të ashpër, por për këtë politikë, e cila ashpërson edhe më shumë skenën politike, ai nuk e ka përkrahjen e të gjithë liderëve, përpos të Albin Kurtit, i cili ka urrejtje patologjike ndaj PDK-së dhe liderit të saj.

“Dihet që njerëzit e tij e kanë kërcënuar edhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe Isa Mustafa tërthorazi e ka dënuar këtë akt edhe publikisht. Prandaj së shpejti pakënaqësitë e akumuluara ndërmjet tyre pritet të shprehen hapur dhe t’i ndajnë rrugët me të”, thotë në kushte anonimiteti ky burim.

Nëse nuk ka lëvizje pozicionesh së shpejti, tre liderët e tjerë opozitarë janë të vendosur që t’i formojnë institucionet edhe pa Haradinajn dhe ta lënë edhe atë në opozitë, së bashku me PDK-në.

(Indeksonline)