Bleu kafkë njeriu në një treg në Romë

Një udhëtar në aeroportin e Fiumiçinos në Itali i ka lënë gojëhapur kontrollorët, të cilët kanë hapur çantën e tij të dorës.

Fun

04/04/2016 22:46

Udhëtari me shtetësi gjermane është ndaluar në terminalin numër 1 të aeroportit, ku gjatë kontrollit nuk ka shfaqur asnjë shenjë nervozizmi, madje krejt natyrshëm ka nxjerrë nga çanta një kafkë, kur i është thënë të deklarojë se çfarë kishte aty.

Jo një riprodhim, por një kafkë të vërtetë njerëzore.

“E kam blerë të përdorur në një tezgë, më duhet për kërkime shkencore” ,u ka thënë ai agjentëve të policisë, duke shtuar se ishte pedagog dhe jepte mësim në universitet.

I pyetur për më shumë detaje, ai është shprehur se e kishte blerë kafkën për 50 euro në një tezgë në rrugën “Xhulia” në zemër të Romës, raportojnë mediat italiane.

Kafka, të cilës i mungonte nofulla e poshtme, transmeton Shekulli, është dorëzuar te punonjësit e policisë shkencore, të cilët po bëjnë ekzaminimet që do të përcaktojnë moshën dhe prejardhjen e saj.